15 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Kulla dhe kumar/ Hapet kazinoja e 7-të në Tiranë, ICT çel dyert në Intercontinental Hotel

Përveç kullave, ka dhe një biznes tjetër që rritet në mënyrë të vrullshme në Tiranë. Ai është kumari, ose biznesi i vesit siç njihet ndryshe. Në fakt të dyja këto biznese janë të lidhura me njëra tjetrën sepse sa herë që në Tiranë përfundon një kullë, brenda saj mbin një kazino. Rasti më i fundit është në kullën hotel ngjitur me 15 katëshin e famshëm të Tiranës.

Edhe pse Hotel Intercontinental nuk ka përfunduar ende së ndërtuari e aq më tepër të hapet, kati i parë i tij ka filluar të gëlojë nga kumari. International Casino Tirana ka çelur zyrtarisht dyert në katin e parë të hotelit të ri, duke u bërë kështu kazinoja e 7-të që hapet në kryeqytetin e Shqipërisë.

“International Casino Tirana ndodhet brenda Hotel Intercontinental Tirana dhe do të jetë destinacioni i fundit luksoz i argëtimit në zemër të Tiranës, me një zonë lojrash që shtrihet mbi 1200 m2 me një kapacitet prej 1500 + persona,” thuhet në prezantimin zyrtar të kazinosë.

Me hapjen e International Casino Tirana, kryeqyteti shqiptar bëhet kështu një nga qytetet me densitetin më të lartë të qendrave të kumarit në botë, ku brenda një distance më të vogël se 1 kilometër mund të gjesh plot 6 kazino. Ndërkohë gjasat janë që kjo shifër të rritet edhe më shumë, pasi janë lajmëruar sakaq planet për hapje të tjera kazinosh, ku më e afërta duket ajo tek kulla pas Sahatit të Tiranës.

International Casino Tirana
Ceremonia zyrtare e hapjes së kazinosë më të re në kryeqytetin shqiptar u mbajt në 19 prill. Por në të luhet bixhoz prej gati një muajsh tashmë.

International Casino Tirana është liçencuar nga Autoriteti i Mbikqyrjes së Lojrave të Fatit në datën 23 mars të këtij viti. Mbajtësja e liçencës dhe pronarja e kazinosë është kompania Infinity Investiments.

Kjo është kazinoja e katërt që Infinity Invesments hap në Tiranë. Infininity Investments është një kompani, aksionet e të cilave zotërohen nga dy shoqëri. Ato janë WSI me 60 për qind të aksioneve dhe W-CZ Holdings s.r.o me 40 për qindëshin tjetër.

Shoqëria e parë zotërohet nga Bledar Sinani, i cili më parë ka qenë një nga aksionerët kryesor të Apexit. Ndërsa shoqëria e dytë zotërohet nga shtetas austriak i quajtur Johannes ëeissengruber.

Bledar Sinani është lojtari dominant i tregut të kazinove në Tiranë duke përbërë ndoshta dhe një rast të rrallë në Europë, ku një kompani zotëron 4 kazino në qendrën e një kryeqyteti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *