8 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Kullës së Pazarit të ri i mbijnë 4 kate shtesë

Në fund të vitit të kaluar Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen e zhvillimit për një “Godinë Polifunksionale 2-21 kate me 2 kate nëntokë,” në rrugën Hoxha Tahsin, në afërsi të Pazarit të Ri. Shoqëria zhvilluese e lejes ishte një kompani e quajtur Oni & Afa, e cila zotërohen në masën 100 për qind nga biznesmeni Agron Hajdarkolaj.

Sipas dokumentave shoqëruese të projektit, kulla do të kishte 21 kate mbi tokë. Por vetëm 6 muaj pas miratimit të lejes së zhvillimit, objekti ka ndryshuar rrugës, madje edhe pronarët që qëndrojnë pas tij.

Kullës rezulton t’i jetë bashkangjitur edhe një kompani e quajtur Building shpk. Ndërsa numri i kateve mbi tokë ka ndryshuar nga 21 në 25 kate. Ndryshimet janë zbuluar nga vetë kompania Building SHPK në faqen e saj në Instagram, e cila ka nisur shitjen e apartamenteve në kullën ende të pafilluar.

Shtimi i kateve dhe ndryshimi i pronarëve është bvërë një fenomen masiv për kullat që miratohen në seri në Tiranë. Building shpk rezulton një kompani e themeluar rishtaz, por e shndërruar vrullshëm në një shoqëri, e cila është përfshirë në disa nga kullat dhe projektet më të mëdha të ndërtimit në Tiranë.

Sipas faqes zyrtare të kompanisë në rrjetet sociale, ajo rezulton e përfshirë në kullën Ekspozita Building, tek Rezidenca Luxor, ajo Paralel Living në Don Bosco dhe kompleksi Aura në rrugën Dritan Hoxha. Në të njëjtat projekte rezulton edhe kompania LIM-EM e Shkëlqim Beshirit, një ndërtues i njohur në Tiranë.  

Nuk dihet nëse mes dy kompanive ka ndonjë lidhje. Building shpk është themeluar në qershor të vitit 2021 dhe zotërohet nga Reinald Sulaj dhe Nail Ademi. Që në 6 muajt e parë, Building shpk realizoi gati 1 milionë euro faturim. Por një vit më vonë, në vitin 2022, xhiro e Building shpk fluturoi në 6.5 milionë euro.   

Nuk dihet nëse Sulaj dhe Ademi janë pronarët realë të kullave shumëkatëshe, që kompania ka marrë në Tiranë, apo pas tyre ka emra të tjerë. Në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, lindja e kompanive nga hicci, të cilat pastaj përfshihen në kulla qindra milionë euroshe është bërë fenomen i zakonshëm duke shtuar shqetësimet për fshehje të pronarëve realë apo ato për pastrim parash.     

Tashmë kompania Building SHPK së bashku Oni & Afa do të ndërtojnë kullën 25 katëshe në rrugën Hoxha Tahsin, katet e së cilës u shtuan rrugës.  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *