25 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Kumar dhe kulla/ Rama i jep leje për 11.5 mijë metra katrorë ndërtim Dajlan Avdisë në rrugën Fortuzi

Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen e zhvillimit për ngritjen e një kulle të re me 16 kate në afërsi të qëndrës së Tiranës. Objekti me funksion shërbimesh dhe banimi me 11,12,13,14,15 dhe 16 kate do të ngrihet në kryqëzimin e rrugës Fortuzi me atë Zyri Bajrami, aty ku sot ndodhen disa ndërtesa ekzistuese të ulëta.

Sipas lejes, objektet do të kenë një sipërfaqe totale ndërtimi prej 11 mijë e 500 metrash katrorë, nga të cilat 8 mijë e 200 metra mbi tokë dhe pjesa tjetër garazh. I gjithë projekti shtrihen në një truall prej 1100 metrash.

Sipas dokumenave të KKT-së, kompania zhvilluese e këtij projekti është TDT & Partners.

Kjo kompani u themelua në qershor të vitit 2016 nga Petrit Ismaili me objekt “Fushën e ndërtimit, sipërmarrje për shembjen, prishjen, çmonitimin dhe tratimin e të gjithë elementeve metalike etj”. Një vit më vonë zoti Ismaili i shiti të gjitha aksionet tek Glendi Abdi dhe Dajlan Avdia që u bënë aksionerët e vetëm të TDT & Partners.

Zoti Avdia njihet si një nga pronarët e ish kompanisë së lojrave të fatit Apex. Por pas mbylljes së kazinove elektronike ai është zhvendosur në biznesin e ndërtimit, veccanërisht pas vitit 2016 duke krijuar apo blerë disa kompani ndërtimi. Përmes dy kompanive të tij, Invest Society dhe TDT & Partners, Dajlan Avdia qëndron pas shumë kullave në zonat më të lakmueshme të kryeqytetit duke nisur nga ato pas Sahatit të Tiranës dhe të tjera në ish Bllok.

Ajo në rrugën Fortuzi është kulla më e re e dy vëllezërvë, të cilët janë akuzuar nga opozita si biznesmenë të lidhur ngushtë me familjen e kryeministrit Edi Rama.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *