11 Shkurt, 2025
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Kush është kompania që i ka mbyllur gojën gjithë shtetit?

Skandali ndërkombëtar me mbetjet toksike që Shqipëria i nisi Tajlandës po nxjerr në pah edhe një tjetër skandal më të rëndë. Atë të rënies totale të shtetit dhe korruptimit vertikal të të gjitha institucioneve që ligji i ngarkon për sigurinë kombëtare.

Së pari, administrata portuale. Porti i Durrësit është tashmë një skenë e madhe krimi. Autoritetet tajlandeze dhe rrjeti i Bazelit kanë konfirmuar zyrtarisht se Shqipëria nuk ka autorizuar zyrtarisht eksport mbetjesh. Kjo shtron pyetjen, si u ngarkuan në mes të ditës dy anije të mëdha në Portin e Durrësit pa patur autorizim për eksport?

Mjafton vetëm ky fakt, që e gjithë administrata drejtuese e Portit të Durrësit të vihet nën hetim. Pirro Vengu, ministri i ri i mbrojtjes, veç kontratës 12 milionë euro të konsulencës me Royal Haskoning duhet të përgjigjet në SPAK, më së pari për skandalin e mbetjeve. Sepse ky skandal konfirmoi për të disatën herë se kufijtë e Shqipërisë nuk janë të sigurtë dhe përderisa dalin mbetje të rrezikshme në eksport, ashtu edhe hyjnë në import.

Ironia e madhe në këtë rast, qëndron në faktin se Vengu u promovua dhe nëse më parë kishte shndërruar në han pa porta Portin e Durrësit, tani mund të shndërrojë të gjithë kufijtë e Shqipërisë. Një drejtor që ngre traun e Portit për të lejuar tregti kriminale mbetjesh, nuk ka pse të ngurrojë të fikë radarët e kufirit për trafik kokaine dhe armësh si ministër Mbrojtje. Dhe të mendosh që këta personazhe ftojnë edhe NATO-n të bëhej pjesë e porteve të tyre të trafikut.

Institucioni dytë nën akuzë është, administrata doganore. Kjo nuk është hera e parë që doganat shqiptare kapen gafil në skandal me ngarkesa të paligjshme. Pak kohë më parë nën presionin e shërbimeve të vendeve partnere dogana u detyrua të kthejë mbrapsht një nga ngarkesë të paligjshme karburanti nga Libia, që ishte nën sanksion ndërkombëtar.

Gent Gazheli, drejtori i përgjithshëm i doganave duhet të sqarojë edhe ky në SPAK me çfarë deklarate eksporti janë nisur dy anijet me mbetjet e rrezikshme. Cfarë është shkruar mbi ato deklarata dhe si janë bërë procedura ligjore të kontrollit.

Megjithatë kjo nuk është thjesht një çështje drejtorësh apo doganierësh të korruptuar . Skandali më i madh është rënia totale e shtetit.

Autoritetet tajlandeze, rrjeti i Bazelit dhe mediat më të mëdha ndërkombëtare kanë dy javë që përpiqen të gjejnë se kush është kompania eksportuese e mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria. Por Shqipëria nuk e tregon.

Pra në Shqipëri ekzistoka një kompani private, e cila i mbylli sytë Pirro Vengut, taposi gojën e Gent Gazhelit dhe i ka futur shkopin në gojë të gjithë shtetit. Ky është skandali i vërtetë, sepse e akuzon Shqipërinë si shtet mafioz të përfshirë në trafik ndërkombëtar.

1 Comment

  • Aldo 19 Gusht, 2024

    Ky është skandali i vërtetë, sepse e akuzon Shqipërinë si shtet mafioz të përfshirë në trafik ndërkombëtar.

    Ne nuk na akuzojne si shtet mafioz, ne JEMI shtet mafioz.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *