6 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Kush ka më pak do marrë më shumë! Në dhjetor, pensionistët bonus të ndryshëm!

Bonusi i fundvitit që po diskutohet për pensionistët nuk do të jetë i njëjtë për të gjithë. Ministria e Ekonomisë së bashku me Institutin e Sigurimeve po diskutojnë ndarjen në fasha të pensionistëve në bazë të pagesës mujore që ata marrin.

Synimi është që pensionistët që marrin pensione të ulëta, pavarësisht nëse marrin pension social apo kanë vite të pakta pune, të marrin shpërblim më të lartë. Me këtë ndarje qëllimi është që kategoritë që kanë pensione të ulëta të marrin shpërblim më shumë, pasi konsiderohen më në nevojë për të përballuar kostot e jetesës.

Kalimi drejt një mase të tillë, ndërmerret si vendim për shkak të numrit të madh të qytetarëve me pensione të ulëta, ku vetëm sipas shifrave zyrtare afro 50% e pensionistëve marrin pagesë të pjesshme mujore. Po ashtu ende po diskutohet se sa do të jenë vlerat e bonuseve që do të jepen për pensionistët, që siç është deklaruar tashmë pritet mbi 5 mijë lekë.

Skema se si do të funksionojë dhënia e shpërblimit këtë vit do të bëhet publike brenda muajit nëntor, ndërkohë që në bazë të përllogaritjeve do të kërkohet edhe financim shtesë nga buxheti i shtetit me rishikimin që do të pësojë në muajin e ardhshëm.

Aktualisht për shpërblimin e 791 mijë pensionistëve janë planifikuar në buxhet 3 miliardë e 650 milionë lekë, vlerë që do të rritet me rishikimin e buxhetit për herë të tretë.

Ndryshime në dhënien e bonusit dhe të indeksimit pritet të ketë edhe për vitin 2025, ku sipas informacioneve pritet që indeksimi të bëhet në muajin prill 2025 dhe të jetë në shifrat 3.5% deri në 3.7%, aq sa planifikohet të jetë indeksi i çmimeve të shportës.

Praktikisht rritja e pensioneve në 2025-ën për pensionet urbane do të jetë mesatarisht nga 668 lekë deri 706 lekë. Ndërsa për pensionet rurale shtesa përllogaritet nga 402 lekë deri në 425 lekë. Aktualisht pensioni mesatar urban është 19.093 lekë, ndërsa ai rural 11.504 lekë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *