25 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore Lajme nga vendi

Kush po e zhyt Shqipërinë në krizë plehrash

Klodian Tomorri

Kur Gjykata e Posaçme vendosi nën sekuestro inceneratorin e Fierit, vepra ishte ende e papërfunduar. Farudin Arapi, administratori i caktuar nga shteti për të menaxhuar inceneratorin, deklaroi se duheshin dhe 3 milionë euro të tjera, që vepra të përfundonte plotësisht dhe të niste punën. Por fondet nuk u dhanë asnjëherë.

Inceneratori që deri në atë kohë u kishte kushtuar taksapaguesve shqiptarë 30 e ca milionë euro u “asgjësua” për 3 milionë euro. Për një plesht u dogj jorgani dhe inceneratori mbeti një karabina, që tani po amortizohet me shpejtësi, edhe pse nuk ka punuar asnjë ditë të vetme.

Zoti Arapi u përpoq më kot duke bërë disa herë thirrje publikisht ndaj qeverisë dhe vëçanërisht ministrisë së Energjisë si autoritet kontraktor për disbursimin e fondeve. Madje, kjo i hëngri dhe “kokën”. Kërkesat e zotit Arapi me sa duket nuk i pëlqyen fort Belinda Ballukut ose dikujt tjetër. Si rezultat, zotin Arapi e nxorrën në pension duke e shkarkuar nga administrimi i inceneratorit të Fierit.

Një ditë më parë, Këshilli Bashkiak i Fierit miratoi marrëveshjen për bashkëpunimin ndërvendor me bashkitë e tjera të qarkut për menaxhimin e landfillit në impiantin e mbetjeve urbane. Me pak fjalë, tani inceneratori i Fierit do të përdoret thjesht si një landfill depozitimi deri në ditën që do të mbarojë hapësira. 30 e ca milionë eurot e inceneratorit fluturuan.

Por ndërsa në Fier, hapësira e lanfillit nuk ka mbaruar ende, në Tiranë po. Prej disa muajsh me radhë Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara ka lëshuar institucionalisht alarmin se landfilli i Sharrës nuk ka më vend për të depozituar mbetjet. Por shkresat zyrtare mbeten pa përgjigje. Ashtu siç janë refuzuar të gjitha aplikimet për lejen e ndërtimit për të hapur qeliza shtesë në landfill.

Në Tiranë situata është më të vërtetë kritike dhe vetëm një hap larg kolapsit. Nëse gjërat nuk ndryshojnë, dita kur plehrat do të mblidhen kapicë në rrugët e kryeqytetit ose dyert e pallateve do të jetë shumë e afërt. Me pak fjalë, dikush po e zhyt Tiranën me shpejtësi në një krizë plehrash.

Kjo nuk është shaka. Vonesa e SPAK për të mbyllur hetimet dhe për ta çuar çështjen e inceneratorit të Tiranës për gjykim vetëm sa e rëndojnë krizën. Aktualisht zinxhiri i administrimit të mbetjeve në kryeqytet është një zinxhir përbëhet nga shumë hallka të salduara rrëmujshëm. Nga Bashkia, tek ministria e Energjisë dhe në fund fare Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara. Kjo është formula ideale e kaosit.

Një kaos, që me sa duket po shfrytëzohet. Arsyet se pse janë disa. Një version thotë se askush në zyrat e shtetit nuk do të rrezikojë të hedhë firmën për të zgjidhur një çështje që është në morsat e drejtësisë e çertifikuar si aferë korruptive.

Një version tjetër thotë se dikujt i intereson që skandali i inceneratorëve të thellohet për të ekzekutuar politikisht rivalët brenda llojit dhe për të mbuluar skandalet e tjera që ndodhin çdo ditë në fushat e tjera. Fjala vjen, ministria e Energjisë dhe Bashkia e Tiranës janë vetëm 10 metër larg nga njëra tjetra. Por shkresat për inceneratorin marrin muaj të tërë të shkojnë nga njëri institucion tek tjetri. Madje shpesh dalin dhe në media.

Ndërsa një version i tretë është ai krijimit të krizës për të zbutur çekanin e drejtësisë. Nëse Tirana do mbytet nga plehrat, qeveria do të ketë arsye për të thënë që inceneratori ishte zgjidhja dhe ajo ishte vizionarja. Tani mbani krizën.

Por nëse për arsyet ka dilema, për faktin nuk ka të tilla. Tirana është në prag të krizës së plehrave. Dhe dikush po e shtyn aty.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *