29 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore Lajme nga vendi

Kushtuan 1.2 milionë euro, kamerat, që do të monitoronin pyjet, shiten për skrap

Dritan Kurti, Ina Media

Banorët e fshatit Fshat në Bashkinë e Klosit u habitën jo pak, kur në vitin 2016 jo shumë larg banesave të tyre u ngrit një kullë e lartë, metalike. E pajisur me panele diellore, me kamera me kënd rrotullimi 360 gradë, kulla do të shërbente si “polic” për të monitoruar kontrabandën e lëndës drusore, që merrej nga pyjet e Gurit të Bardhë dhe të Xibrit.

“Na thanë: “E kemi vendosur në kthesë, për të zbuluar ata që presin dru në male”, – tregon Halit Zeneli, një banor i zonës, pa ditur të thotë se cilit institucion i përkisnin punëtorët që bënë instalimet. Por, 7 vite më pas, ndërsa kullës i kanë mbetur vetëm hekurat, kontrabanda e pyjeve vazhdon. Askush nuk e di se ku kanë përfunduar kamerat, panelet diellore e pajisjet e tjera, të vendosura aty.

Halit Zeneli, i cili jeton vetëm pak metra larg kësaj pike monitorimi, thotë se ajo ka funksionuar për rreth dy vite. Më pas nuk është interesuar askush dhe ka rënë pre e grabitjes.

“Dimë që kamerat i morën tre djem të rinj. Ka qenë një kabull, që e furnizonte me energji, por edhe ai është zhdukur. E vetmja që ka mbetur, është kjo kulla prej hekuri, të cilën ne, banorët e fshatit, nuk lejuam që ta merrnin, pasi donin ta çonin për skrap”, – shpjegon Zeneli.

Kjo kullë ishte pjesë e sistemit kombëtar të monitorimit të kontrabandës së pyjeve, që u ngrit 7 vite më parë në të gjithë vendin. Në secilën prej këtyre kullave ishin instaluar 7 kamera me rezolucion të lartë, panele diellore për furnizimin me energji, në mënyrë që të funksiononin pa ndërprerje. Ngritja e këtij sistemi kushtoi plot 1.2 milionë euro (128.6 milionë lekë), investim që sot është rrënuar krejtësisht.

Me ambicien për të ndaluar prerjen e paligjshme të pyjeve, Ministria e Mjedisit asokohe largoi nga puna qindra specialistë, që monitoronin në terren pyjet, të cilët u “zëvendësuan” me kamera. Pavarësisht shpenzimeve për ngritjen e tij, ekspertët janë të bindur se, jo vetëm që ky investim nuk ka patur asnjë ndikim pozitiv, por madje ka shtuar kostot.

“Rreth 700 specialistë të pushuar padrejtësisht nga puna, shumica absolute e tyre fituan gjyqet me ministrinë dhe u paguan. Ka specialistë, që vazhdojnë të paguhen edhe sot e kësaj dite prej atij vendimi absurd të ministrisë”, – thotë inxhinieri i Pyjeve, Abdulla Diku.

Sipas tij, nëse fondi i shpenzuar për kamerat, për instalimin dhe për mirëmbajtjen e tyre do të ishte përdorur si duhet, “mbase do të ishte pyllëzuar i gjithë baseni i Bovillës dhe Tirana sot do kishte ujë më të pastër e më të sigurt për banorët e saj”.

Projekti i dështuar i kamerave

Në vitin 2016, ish-Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit (ISHMPUT), i cili në atë kohë menaxhonte të gjitha ekonomitë pyjore të vendit tonë, vendosi që të ndërtojë një sistem monitorimi digjital të rrugëve kryesore në vend, nga ku mendohej se kalonte lënda drusore kontrabandë. Ky vendim erdhi njëkohësisht me vendosjen e moratoriumit 10-vjeçar të prerjes së pyjeve.

Tenderi për “Blerje sistemi elektronik i monitorimit të pyjeve” u hap në shkurt të vitit 2016 dhe fituese u shpall kompania “FASTECH”, me vlerën 128,629, 690 lekë, shumë afër fondit limit prej 133,333,503 lekësh.

Në të gjithë vendin u ndërtuan 28 kulla monitorimi, të pajisura me kamera, por ato nuk arritën të kapin asnjë “abuzues”. Të dhënat zyrtare tregojnë se rastet e paligjshmërisë së prerjes së pyjeve, të konstatuara, si në rrugë, ashtu edhe në fondet pyjore, kanë qenë thuajse të njëjta me ato të viteve të mëparshme. Sipas të dhënave të siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, rezulton që në periudhën 2015-2020 të jenë konstatuar 1.528 raste të prerjes së paligjshme të pyjeve me 1.675 autorë. Lënda drusore, e sekuestruar i kalon disa mijëra metra kub. Ndonëse INA MEDIA kërkoi që t`i viheshin në dispozicion të dhënat se sa prej rasteve të shkeljeve ishin konstatuar nga pikat e monitorimit, ky informacion nuk na u vu në dispozicion.

Kulla e monitorimit në fshatin Klos Katund të Bashkisë Klos është zhdukur krejtësisht. Siç edhe dëshmojnë fotot e siguruara nga Investigative Network Albania, kamerat e monitorimit, panelet diellore e madje edhe kulla prej hekuri nuk ekzistojnë më. Në vend ka mbetur vetëm bazamenti prej betoni, ku ishte vendosur kulla. Ajo do të shërbente për të monitoruar prerjen e paligjshme të pyjeve të Martaneshit.

Krejt ndryshe, në fshatin Burgajet të Matit kulla e monitorimit të pyjeve nuk funksionon, por është thuajse e paprekur. Kjo ndoshta për faktin se ndodhet pranë disa banesave dhe ka qenë i vështirë dëmtimi nga të tjerët apo vjedhja e materialeve. Po njësoj, edhe në Fushë Bulqizë kulla e monitorimit, që ndodhet ngjitur me rrugën nacionale, është me të gjitha elementet, por nuk dihet, nëse është në funksion apo jo.

Dy kullat e monitorimit të kontrabandës në pyje, të vendosura pak vite më parë në fshatin Fshat dhe Klos Katund të Bashkisë Klos, të cilat tashmë janë zhdukur, kanë kushtuar 2.6 milionë lekë.

Ndryshimet e shpeshta të inspektorateve, por edhe të vetë mënyrës së administrimit të pyjeve, kanë bërë që këto kulla monitorimi të përfundojnë si mall “pa zot”.

Sektori i Administrimit të Pyjeve dhe Kullotave pranë Bashkisë Klos thotë se këto pika monitorimi nuk kanë qenë dhe nuk janë asete të bashkisë, ndërkohë që pranojnë se monitorimi i prerjes së pyjeve është një sfidë e madhe, më së shumti për shkak të mungesave të theksuara të mjeteve të transportit.

“Nuk kemi infrastrukturë për kontrollin e territorit, pasi na mungojnë mjetet e transportit. Në shumicën e rasteve kontrollin e territorit e bëjmë me mjetet tona”, – thotë Kapllan Allamani, përgjegjës i sektorit të pyjeve në Bashkinë e Klosit. Sipas tij, zonat më problematike janë ato që kufizohen me Tiranën, Dibrën, Bulqizën dhe Krujën për shkak të largësisë dhe terrenit të vështirë.

Nga ana tjetër, edhe ADZM, Dibër thotë se nuk i ka patur asnjëherë në inventar kamerat e vendosura në territorin e qarkut Dibër. Në një koment për këtë çështje, dhënë për INA MEDIA-n, ky institucion thotë se nuk ka asnjë dijeni për këtë investim dhe se ky sistem nuk ka qenë as në administrim e as në përdorim nga ana e tyre, pasi ishte pjesë e ISHMPUT-së, që kur është ndërtuar.

Nga një vëzhgim i bërë nga INA MEDIA në malin e fshatit Xibër-Murrizë prerja e drurëve të ahut vazhdon. Banorët thonë se kjo është ndikuar edhe nga ndërtimi i bypass-it të Murrizit që është pjesë e Rrugës së Arbrit, rrugë, e cila krijon lehtësi për t’i transportuar drejt Tiranës apo qyteteve të qarkut Dibër.

Bashkia e Klosit pranon se kjo zonë, megjithëse bën pjesë në hartën e zonave të mbrojtura, mbetet më problematikja dhe ka rënë pre e kontrabandës për shkak të punimeve në Rrugën e Arbrit.

“Me hapjen e bypass-it mendojmë se është favorizuar prerja e paligjshme e pemëve në zonën e mbrojtur Linos -Guri i Bardhë-Bizë-Martanesh”, – pranon Kapllan Allamani nga Bashkia e Klosit.

“Sa i përket malit të Murrizit, rruga e vjetër nga Qafa e Murrizit-Qaf Qershi-Kroi i Pajnës-Zgurë-Ura e Karthniqit është zonë e mbrojtur në varësi të ADZM, Dibër, por, edhe pse është në varësi të ADZM-së, inspektorët tanë kontrollojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe njoftohen për prerje të paligjshme. Pas kësaj ne vëmë në dijeni ADZM-në”, – përfundon më tej ai.

Ekspertët e pyjeve thonë se ky ishte një investim i kotë, sa kohë që administratat nuk kanë njerëz dhe specialistë për t`i monitoruar pyjet. Sipas tyre, kontrabandistët ua gjetën zgjidhjen edhe kamerave.

“Edhe sikur të kishin funksionuar kamerat, ato veç do të filmonin dhe do të tregonin faktin, që pyjet janë prerë, por nuk kanë ndihmuar aspak për të parandaluar prerjen. Si për çdo gjë tjetër, edhe kamerave ua gjetën “zgjidhjen” kundërvajtësit. Herë i mbulonin, që të mos filmonin, e herë devijonin një copë rrugë për t`iu shmangur atyre. Në fund, mendoj se kanë fituar kundërvajtësit”, – shpjegon Diku.

Investimi prej miliona eurosh, “mall pa zot”

Në fund të vitit 2019, inspektoratet iu nënshtruan një reforme totale dhe ISHMPUT u shkri si institucion. Si pasojë, ky investim prej 1.2 milionë eurosh ngeli pa zot, duke sjellë shkatërrimin e tyre.

Ministria e Mjedisit u kujtua se kishte nën administrim edhe një investim të tillë, vetëm pas kërkesës së dërguar nga Investigative Network Albania. 4 vite pas shkrirjes së inspektoratit qendror, ende sot institucionet nuk janë në gjendje të thonë se çfarë ka ndodhur me këto kulla apo, aq më pak, të kenë një inventar të tyre. Për rezultate as që flitet.

Ministria e Mjedisit justifikohet me faktin se ende nuk ka përfunduar procesi i ristrukturimit të institucioneve të tjera, ku u shpërndanë kompetencat e ISHMPUT-së. Megjithatë, ministria thotë në një përgjigje me shkrim, se ky sistem aktualisht është në proces transferimi pranë Agjencisë së Pyjeve, të krijuar rishtazi.

“Në kuadër të procedurave të ndërmarra për të mbyllur të gjitha detyrimet në rastin e shkrirjes/mbylljes së një institucioni, Sistemi Elektronik i Monitorimit të Pyjeve u transferua përkohësisht pranë MMT-së dhe aktualisht është në proces transferimi pranë Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, institucion në varësi të MMT-së, i krijuar i ri pas shkrirjes së ISHMPUT”, – i tha INA MEDIA-s në fund të muajit maj Ministria e Mjedisit.

Në një përgjigje me shkrim Agjencia Kombëtare e Pyjeve e nxjerr zbuluar Ministrinë e Mjedisit, duke mohuar që t’i ketë kaluar në pronësi, si pasojë nuk ka dijeni se çfarë është bërë me këtë sistem. Vetë Agjencia Kombëtare e Pyjeve u vu në dijeni se do t`i transferohej ky “investim” vetëm pas shkresës së INA MEDIA-s.

“Ky sistem nuk i ka kaluar në përdorim AKP-së. Lidhur me faktin se kush e disponon, është në funksionim apo jo, si dhe për gjendjen fizike dhe teknike të stacioneve të kamerave në territor, duhet të kërkoni informacion në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit”, – thotë Agjencia Kombëtare e Pyjeve.

Mirëpo, AKP sqaron se, Ministria e Mjedisit, në të njëjtën ditë që i ka kthyer përgjigje INA MEDIA-s, i ka adresuar një shkresë edhe Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, me lëndë “Kërkesë për fillimin e procedurës së kalimit kapital pa pagesë të Sistemit Elektronik të Monitorimit të Pyjeve”, protokolluar me nr. 387 prot., datë 25.05.2023.

Pra, siç duket, Ministria e Mjedisit dhe Turizmit është kujtuar për transferimin e këtij sistemi pranë Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, vetëm pas marrjes së kërkesës për informacion nga Investigative Network Albania të datës 28.04.2023 dhe vetëm një ditë para kthimit të përgjigjes së datës 26.05.2023, pra në datën 25.05.2023, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nisur procedurën e transferimit të Sistemit Elektronik të Monitorimit të Pyjeve pranë Agjencisë Kombëtare të Pyjeve.

Duke bërë një bilanc të kësaj nisme, që e konsiderojnë politike dhe jo teknike, ekspertët këmbëngulin se ishte një dështim shumëdimensional, që ka sjellë shkatërrimin e fondit pyjor të vendit.

“Kjo është një kosto e jashtëzakonshme, jo vetëm prej lëndës së drurit të prerë, por mbi të gjitha sepse kostot për rigjenerimin e pyjeve të shkatërruara tashmë kanë kaluar në miliarda euro. Prej kësaj nisme duhet të nxjerrim njëherë e mirë mësimet e duhura”, – shpjegon inxhinieri i pyjeve, Abdulla Diku. Po sipas inxhinierit Abdulla Diku, sasia e lëndës drusore, që pritet në një vit në vendin tonë, është shumë më e madhe se ajo që krijohet nga natyra.

“Në Shqipëri priten rreth 2.5 milionë m3 lëndë drusore në vit, ndërsa rritja vjetore e pyjeve është rreth 1.4 milionë m3/vit. Pra, presim rreth 1.1 milionë m3 më shumë nga sa është rritja vjetore, natyrore e pyjeve”, – shpjegon ai.

Si pasojë e prerjes masive të pyjeve, Shqipëria paraqitet sot si vendi me erozionin më të lartë në Europë (12.5 herë më shumë erozion se mesatarja e vendeve të BE-së).

“Aktualisht nuk kemi specialistë pyjesh në terren, që t`i mbulojnë, t`i kontrollojnë e t`i menaxhojnë zonat pyjore, kështu iu është lënë dorë e lirë kundërvajtësve dhe informalitetit të lartë në këtë sektor (rreth 90% e produkteve drunore, që merren nga pylli, nuk paguhen). Ata pak persona, që paguhen në sektorin e pyjeve, nuk kanë asnjë lidhje me punën dhe profesionin përkatës”, – përfundon Diku.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *