14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Lamtumira e shtrenjtë/ Aleat u mori shqiptarëve gjysmë miliardë euro

Aleat sh.a kompania koncesionare e prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit e mbylli vitin e fundit të koncesionit me një fitim neto prej 1.42 miliardë lekë ose rreth 12.7 milionë euro. Të dhënat nga bilanci zyrtar, tregojnë se gjatë vitit të kaluar shqiptarët paguan rreth 49.3 milionë euro për t’u pajisur me mjete identifikimi. Kompania Aleat raportoi shpenzime në masën 36.6 milionë euro duke përfshirë taksat dhe një fitim neto prej 12.7 milionë eurosh.

Ky ishte viti i fundit i koncesionit të prodhimit të pasaportave biometrike dhe të kartave të indentitetit. Në fillim të këtij viti ministri i Brendshëm Bledi Çuçi njoftoi se shërbimi për prodhimin e mjeteve të identifikimit do të shtetëzohej dhe marrëveshja e koncesionit me Aleat nuk do të rinovohej më.

Kompania Aleat u kontraktua nga qeveria shqiptare për koncesionin ekskluziv në vitin 2008, fillimisht për një periudhë 5 vjeçare. Marrëveshja e koncesionit u shoqërua me rritje të ndjeshme të çmimeve të pasaportave dhe kartave të identitetit për qytetarët. Në atë kohë, qeveria e justifikoi koncesionin si një masë të domosdoshme për të plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave dhe rritjen e sigurisë kombëtare. Por në vitin 2013, qeveria e zgjati koncesionin edhe me 10 vjet të tjera pa garë, njësoj si koncesionet e Aeroportit të Rinasit dhe minierës së kromit në Bulqizë.

Për 15 vjet me radhë, Aleat ka qenë një nga ndërmarrjet më fitimprurëse në Shqipëri, duke regjistruar norma fitimi që kanë variuar nga 25 deri në 50 për qind të xhiros.

Të dhënat historike tregojnë se për të gjithë periudhën 15 vjeçare Aleat arkëtoi 52.5 miliardë lekë ose 470 milionë euro nga shitja e pasaportave dhe kartave të identitetit, si dhe regjistroi një fitim neto prej rreth 127.5 milionë eurosh (kursi i këmbimit 1 euro = 111.5 lekë). Viti i kaluar ishte thjesht mbyllja e një koncesioni të artë, i cili u mori shqiptarëve gati gjysmë miliardë euro.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *