19 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Lëmshi me shifrën e GDP-së çorodit financat publike

Performanca fiskale e Shqipërisë është kthyer 10 vjet pas në kohë, teksa shifra e PBB-së nominale e raportuar nga INSTAT për vitin 2022 ka çoroditur gjithë treguesit e financave publike. Sipas INSTAT, vitin e kaluar Prodhimi i Brendshëm Bruto arriti në 2 mijë e 135 miliardë lekë duke u rritur me 15 për qind në terma nominalë krahasuar me një vit më parë.

Rritja stratosferike e Prodhimit Nominal ishte arsyeja kryesore pse borxhi publik zyrtar i vendit u ul në 63 për qind e PBB-së; (sa më i lartë emëruesi i PBB-së aq më shumë ulet raporti i borxhit). Por kjo është vetëm njëra anë e historisë. Në krahun tjetër, rritja e PBB-së ka përkeqësuar në mënyrë drastike të gjithë treguesit e tjerë fiskalë të vendit.

Të ardhurat me keq se në 2014-ën

Të ardhurat buxhetore ndaj PBB, një tregues kritik për mirëqeverisjen dhe administrimin tatimor, për vitin 2022 rezultojnë 26.8 për qind. Kjo shifër është thuajse e barabartë me atë të vitit 2014, kur Edi Rama akuzonte Sali Berishën se kishte shthurur financat publike të vendit duke lënë pas tokën e djegur. Me pak fjalë, gati një dekadë administrimi tatimor e fshirë brenda një viti.

Po të llogaritet se gjatë kësaj kohe qeveria ka rritur ndjeshëm disa taksa, përformanca tatimore e Shqipërisë rezulton më e përkeqësuar edhe se në vitet më problematike, siç ishte 2013-a.

Por raporti i të ardhurave buxhetore ndaj PBB nuk është i vetmi tregues që ka marrë për kot. Shpenzimet për sektorët prioritarë të ekonomisë si arsimi dhe shëndetësia rezultojnë gjithashtu të përkeqësuar duke u kthyer edhe këta 10 vjet pas.

Çudia me deflatorin 10.2 për qind

PBB nominale nuk është asgjë tjetër përveçse vlera e të gjitha mallrave dhe shërbimeve të prodhuara nga ekonomia në një vit të caktuar me çmimet e atij viti. Ndryshimi i nivelit të çmimeve nga njëri vit në tjetrin ndryshe njihet si deflatori i GDP-së. Ose ndryshe, deflatori është diferenca mes rritjes nominale dhe asaj reale të ekonomisë.

Sipas INSTAT, vitin e kaluar deflatori i PBB-së ishte 10.2 për qind. Pra çmimet e mallrave dhe shërbimeve të prodhuara nga ekonomia shqiptare u rritën me 10.2 për qind krahasuar me një vit më parë. Rritja reale e ekonomisë ishte 4.8 për qind. Rrjedhimisht PBB nominale u rrit me shifrën galopante 15 për qind duke arritur në 2 mijë e 135 miliardë lekë.

Deflator 52% më i lartë se inflacioni  

Vitin e kaluar norma zyrtare e inflacionit sipas INSTAT rezultoi 6.7 për qind. Por deflatori i GDP-së sipas INSTAT ishte 10.2 për qind. Diferenca prej 52 për qind mes deflatorit dhe inflacionit shihet me rezerva nga shumë ekspertë.

Edhe pse janë dy tregues të ndryshëm, përgjithësisht inflacioni dhe deflatori i GDP-së tentojnë të konvergojnë me njëri tjetrin ose kanë diferenca të ngushta. Por vitin e kaluar diferencat mes dy treguesve në sektorë të caktuar të ekonomisë janë të ndjeshme. Një prej tyre është bujqësia.

Sipas INSTAT vitin e kaluar inflacioni i grupit ushqime dhe pije jo alkolike rezultoi 11.8 për qind. Por deflatori i bujqësisë ishte 16.6 për qind, që do të thotë se kostot e prodhimit të bujqëve janë rritur ndjeshëm më shumë se çmimi i mallrave bujqësore në treg për konsumatorët.

Bujqësia është një nga sektorët më të mëdhenj të ekonomisë me mbi 20 për qind në Prodhimin Kombëtar. Rrjedhimisht deflatori i lartë i bujqëësisë ka efekt të madh në zgjerimin e shifrën nominale të PBB.

Një tjetër tregues që shihet me rezerva është deflatori i taksave, i cili vitin e kaluar rezultoi gati 10 për qind. Ky i fundit është një tregues që tenton të masë rritjen reale të të ardhurave nga taksat duke e zhveshur nga ndryshimet e politikës fiskale.

Me pak fjalë, qeveria tani është në një kurth. Pasi të lëvdohet se ka ulur borxhin publik duhet të pranojë se ka përkeqësuar performancën fiskale duke mbledhur më pak të ardhura në buxhet edhe se sa 10 vjet më parë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *