15 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Ligj i ri/ Qeveria detyron restorantet dhe supermarketet të pajtojnë kompani për mbetjet

Qeveria shqiptare ka propozuar një ligj, i cili detyron restorantet që të lidhin kontrartë bashkëpunimi me kompani të liccencuara për grumbullimin, përpunimin ose eliminimin e nënprodukteve me origjinë shtazore kur ato nuk depozitohen si mbetje. Të njëjtin detyrim do të kenë edhe supermarketet apo njësitë e tregtimit që heqin nga tregu ushqime të cilat nuk mund të përdoren për njerëz kur ato dëmtohen, prishen, skadojnë apo nuk shiten.

Projektligji i ri i hedhur për konsultim nga Ministria e Bujqësisë për “Nënproduktet me orgjinë shtazore”, vendos detyrim gjithashtu edhe për operatorët e biznesit të licencuar për mbarështimin e kafshëve, therjen e kafshëve, mbarështimin e peshkut, përpunimin e peshkut, etj që të lidhin një kontratë me një grumbullues të nënprodukteve me origjinë shtazore, impiant ose stabiliment të licencuar për përpunimin ose/dhe eliminimin e nënprodukteve me origjinë shtazore.

Sipas draftit, lidhja e kontratës është kusht i licencimit të aktivitetit primar. Mos pajisja me kontratë për këto operatorë biznesit brenda 18 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji përbën shkak për heqjen e menjëhershme të licencës për ushtrimit e aktivitetit primar.

Referuar projektligjit, këto masa do të ndikojnë në mbrojtjen e mjedisit pasi nënproduktet janë potencialisht me ndikim negativ në ndotjen e tij nëse nuk mblidhen, përpunohen dhe shpërndahen siç duhet.

Drafti përcakton gjithashtu masa shtrënguese ndaj shkelësve të ligjit, me dënime administrative, ndërkohë që shkeljet që përbëjnë vepër penale dënohen sipas Kodit Penal në Republikën e Shqipërisë. Në dokument përcaktohet parimi “ndotësi paguan”, pra, dëmet që kanë vlerë financiare, ndaj çdo subjekti, shtetëror ose privat, paguhet nga individi ose subjekti që e shkakton.

Dënimet administrative variojnë nga 10 mijë deri në 2 milionë lekë gjobë në varësi të shkeljes që kryejnë operatorët, si në tregtim, licencim, import apo eksport.

Projektligji synohet të miratohet në vitin 2024 por parashikohet të shtrijë efektet nga data 1 shkurt 2026, në raport me hyrjen në fuqi të ligjeve të tjera në proces përafrimi që ndërlidhen me të, të cilat po ashtu synohet të miratohen gjatë vitit 2024.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *