6 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Ligji i ri/ Gjobë 30 për qind në muaj për pronarët që nuk paguajnë tarifën e administrimit në pallate

Qytetarët, të cilët nuk paguajnë në kohë detyrimet për administrimin në ndërtesat e përbashkëta do të gjobiten me 30 për qind të detyrimit për çdo muaj vonesë. Ministria e Pushtetit Vendor ka hedhur për konsultim publik një projektligj, i cili ndryshon rrënjësisht ligjin aktual për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa.

Sipas draftit, qytetarët që banojnë në pallate janë të detyruar të paguajnë tarifën e administrimit të bashkëpronësisë.

“Tarifa e administrimit për secilin bashkëpronar, si rregull, përcaktohet bazuar në shpenzimet e administrimit dhe në kuotën e pjesëmarrjes në bashkëpronësi të pronarëve të njësive. Ajo mund të korrektohet për shpenzime të veçanta, për numrin e kateve dhe për masën e përdorimit të objekteve të veçanta,” thuhet në draft.

Në rast se asambleja e bashkëpronarëve nuk gjen dakortësinë për përcaktimin e tarifës zbatohet tarifa e referencës e miratuar nga këshilli bashkiak përkatës, e ndarë sipas zonave dhe tipoligjisë së ndërtesës që bazohet në udhëzuesin për llogaritjen e tarifës së administrimit. Ministri që mbulon fushën e çështjeve vendore miraton udhëzuesin për llogaritjen e tarifës së administrimit.

Por çfarë ndodh nëse qytetarët nuk e paguajnë tarifën?

“Në rast të vonesës së pagesës nga ana e një bashkëpronari, vendoset një penalitet prej 30% të tarifës për çdo muaj vonesë. Penaliteti synon të nxisë bashkëpronarët të respektojnë afatet e pagesës, duke shmagur situata të mospagesës së administratorit/shoqërisë së administrimit që ndikojnë në tërësi në administrimin e objekteve. Penaliteti ndihmon në kompensimin e çdo humbjeje potenciale që vjen si pasojë e mosdisponueshmërisë së fondeve në kohën e duhur,” thuhet në projektligj.

Dhe nëse bashkëpronari nuk paguan tarifën dhe kamatat e prapambetura brenda tre muajve, kryesia e asamblesë së bashkëopronësisë bën një përllogaritje të vlerës së detyrimeve të papaguara, përfshirë tarifën dhe kamatëvonesat. Ky akt përmbledh vlerën e plotë të detyrimeve që ka bashkëpronari.

Pagesa e detyrimeve monetare për tarifën e bashkëpronësisë përmes këtij drafti bëhet titull ekezekutiv, që do të thotë se ata qytetarë të cilët nuk paguajnë do të përballen me përmbarimin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *