4 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Lobi i bankave dhe mikrokredive rrëzon nenin e miratimit të reklamave

Bankat dhe kompanitë e mikrokredisë nuk do të kenë detyrimin të marrin miratim paraprak nga Banka e Shqipërisë për çdo reklamë që ato publikojnë në media. Pas kundërshtimit të fuqishëm nga lobi i institucioneve financiare, Banka e Shqipërisë është tërhequr nga neni duke e rrëzuar atë në minutën e fundit. Tashmë, me variantin e ndryshuar, Banka e Shqipërisë ruan vetëm të drejtën që të kërkojë ndalimin e reklamës, por nuk do të ketë më të drejtën për t’i miratuar ato para se të transmetohen, siç ishte në variantin fillestar të projektrregullores.

Miratimi nominal nga Banka e Shqipërisë për çdo spot publicitar që bankat dhe kompanitë e mikrokredive publikojnë në media ishte pjesë e një projektrregullore që Banka e Shqipërisë ka hedhur për diskutim pak ditë më parë. Në variantin fillestar kjo projektrregullore përmbante një nen i cili vendoste rregulla strikt dhe kufizime të forta në përmbajtjen e reklamave dhe materialeve të tjera promocionale, që institucionet financiare bëjnë në media për të joshur klientët.

Kjo masë ishte argumentuar nga Banka e Shqipërisë si një filtër për të ndaluar reklamat apo materialet promocionale, të cilat përmbajnë vlerësime ose parashikime në lidhje me ecurinë e ardhshme të bankës; krahasime ndërmjet bankave të ndryshme që ofrojnë të njëjtat produkte apo shërbime, që vënë në disavantazh banka të tjera; shprehje si “rezultat i garantuar”, “banka më e mirë”, “kosto më e ulët”, “kosto zero”, “më e lartë/më e ulët/më e mira në treg”, “ne ju rimbursojmë”, “ne paguajmë për ju”, “ofertë” etj., ose çdo formulim tjetër që mund të krijojë përshtypjen për fitime/rezultate të sigurta apo për kosto të ulëta.

Për këtë qëllim, çdo reklamë e re do të duhet të merrte më parë miratimin nga Banka e Shqipërisë dhe vetëm pastaj mund të transmetohej në media. Por pas kundërshtimit të bankave dhe veçanërisht të kompanive të mikrokredive, BSH është tërhequr duke e rrëzuar nenin. Kapitali ka mësuar se BSH e ka shtyrë me dy javë afatin e konsultimit të rregullores së re.

Kjo shtyrje do të shërbejë për të ndryshuar nenin në fjalë, i cili në variantin e ri i lë Bankës së Shqipërisë vetëm të drejtën për të kërkuar ndalimin e një reklame, por jo më miratimin paraprak të tyre, para se të hidhen në transmetim.

Përtej thellimit të BSH-së, rrëzimi i detyrimit për të kaluar në filtër reklamat e bankave dhe kompanive të mikrokredisë, tregon edhe fuqinë e madhe të lobit financiar. Kjo fuqi ka prodhuar prej vitesh një situatë, ku fusha e lojës është e anuar nga industria, ndërkohë që kuadri ligjor dhe ai rregullator duket më i disfavorshëm për qytetarët. Kjo u kthyer veçanërisht në një bombë me pasoja jo të vogla, në sektorin e mikrokredive, ku disa prej këtyre kompanive i shfrytëzuan pozitat e avantazhuara që u jepte ligji për të ngritur një skemë mashtrimi, e cila preku me qindra dhe mijëra qytetarë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *