6 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Lul Morina ndërtoi 16.000 m2 pa leje. Qato i Veliajt: Nuk e pamë 7-katëshin e paligjshëm

Nga Boldnews.al

Mariglen Qato, ish-kreu i Inspektoratit Ndërtimor të Tiranës, strukturës që ka përndjekur qindra qytetarë për mure e dritare pa leje, ka deklaruar se nuk e ka parë pallatin 7-katësh pa leje që po ndërtohej nga biznesmeni Julian Morina, në zonën e preferuar të Liqenit të Thatë në Tiranë.

Ai ka dhënë këtë deklarim në kuadër të hetimeve që po kryheshin nga prokurori i Tiranës, Arjan Përmeti, për veprën penale të “Ndërtimit të paligjshëm” më shumë se njëherë nga Morina dhe kompania e tij, “Xheluks Konstruksion”.

Qato, tashmë nën arrest me urdhër të Gjykatës së Posaçme për atë që konsiderohet “afera 5D”, është shprehur më herët se “pallati 7 katësh pa leje i ndërtuar nga Morina ishte në mes të disa ndërtesave të tjera dhe nuk arritëm ta konstatonim”.

Godina 7 katëshe është një prej 4 objekteve të ndërtuara nga Morina në Tiranë dhe të konstatuar në paligjshmëri.

“Boldnews.al” ka siguruar detaje nga dosja hetimore e Prokurorisë së Tiranës, e cila pak ditë më parë njoftoi se dërgoi në gjykatë kërkesën për gjykimin e biznesmenit dhe kompanisë ndërtuese në pronësi të tij.

16 mijë m2 ndërtim pa leje

Në 8 Shtator të vitit 2022, zv.kryeministrja Belinda Balluku shprehu habinë e saj për një pallat të tërë pa leje, gjatë një vizite inspektuese për ndërtimet e paligjshme.

“Ky është shembulli më flagrant simbolikë e shkleses së ligjit. Dy kate nën tokë dhe 7 kate mbi tokë, 9 kate ndërtim pa asnjë letër. Sesi kjo ka ndodh është një mister për ne”, tha Balluku, duke iu referuar godinës së ndërtuar nga “Xheluks Konstruksion” në zonën e Liqenit të Thatë.

Menjëherë pas këtij konstatimi, Komisariati nr.1 i Policisë së Tiranës, i cili mbulon zonën e Farkës, referoi në Prokurorinë e kryeqytetit materialet në ngarkim të ndërtuesit Morina dhe kompanisë së tij, “Xhelus Konstruksion”.

Në kuadër të hetimit, Prokuroria e Tiranës zbuloi sipërfaqe ndërtimore pa leje edhe në tre godina në ndërtim nga “Xheluks Konstruksion”, konkretisht dy pallate ngjitur me 7-katëshin në zonën e Liqenit të Thatë dhe një tjetër në zonën e “Rrugës së Elbasanit”.

Nga ekspertiza e porositur për këtë hetim u konstatuan:

– Në objektin “Godinë banimi dhe shërbimi” 4,5,6 dhe 7 me 2 kate parkim në Rr. Elbasanit, u regjistrua një shtesë ndërtimi prej 5866.88 m2.”;

– Tek Liqeni i Thatë, në Farkë, shoqëria ‘Xheluks Construksion’ ishte pajisur me leje ndërtimi për godinë banimi dhe shërbime 1,2,3,4,5 dhe 6 kate me 2 dhe 3 kate nën tokë dhe në tejkalim të saj ka shtuar sipërfaqe ndërtimi dhe volum shtesë prej 2500 m2.;

– Tek Liqeni i Thatë, në Farkë, shoqëria ‘Xheluks Construksion’ ishte pajisur me leje ndërtimi për godinë banimi dhe shërbime 6 kate me 2 dhe 4 kate nën tokë dhe në tejkalim të saj ka shtuar sipërfaqe ndërtimi dhe volum shtesë prej 3065.88 m2.;

– Ndërsa pallati 7-katësh tërësisht pa leje, në zonën e Liqenit të Thatë, kishte një sipërfaqe prej 4.622 m2.

Në total, sipërfaqja ndërtimore pa leje në 4 godinat e ngritura nga “Xhelus Konstruksion” arrinte në 15.974.88 m2 (afërsisht 16 mijë metra katrorë).

Gjithashtu, ekspertiza ka konkluduar se shtesat pa leje janë ndërtuar në zbatim të kushteve të rregullta teknike dhe nuk ka arsye për t’u prishur.

Çfarë deklaroi Morina

Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje biznesmenin Lulzim Morina, i cili, sipas informacioneve që ka siguruar “Boldnews.al”, duket se është treguar i rezervuar.

Ai është mjaftuar me faktin se ka aplikuar për legalizimin e sipërfaqes ndërtimore pa leje, kërkesa e cila nuk është pranuar nga Agjencia e Kadastrës.

Po ashtu, Julian Morina ka deklaruar se sipërfaqja ndërtimore e konstatuar pa leje “tashmë është në fazën e konfiskimit për interes publik, si edhe hartimit të kontratave përkatëse me Ministrinë e Financave”, në zbatim të një Vendimi të Këshillit të Ministrave për ndërtimet pa leje.

Prokuroria mori fillimisht në pyetje edhe drejtuesin teknik të kompanisë “Xheluks Konstruksion”, inxhinjerin A. Qose. Por, në një periudhë të mëvonshme kohore, kur për interesat hetimore u bë e nevojshme ripyetja e tij, ky proces nuk u realizua, pasi inxhinjeri kishte ndërruar jetë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *