4 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

M. e Veriut nis prodhimin e makinave elektrike, Shqipëria bën propagandë me eksportin e domates

Teksa Shqipëria eksporton vetëm krahun e punës dhe burimet natyrore, Maqedonia e Veriut po shndërrohet me shpejtësi në një lider, jo vetëm rajonal, për eksportet e teknologjisë së lartë. Dy javë më parë, qeveria e Maqedonisë së Veriut nënshkroi një kontratë me kompaninë belge, Avesta Battery and Energy Engineering (ABEE) për ndërtimin e një fabrike, që do të prodhojë bateri për makinat elektrike.

Sipas marrëveshjes, kompania belge do të investojë 40 milionë euro dhe do të hapë 600 vende të reja punë në zonën ekonomike të Kërçovës.

“Kjo do të thotë reduktim i emigracionit dhe hapje e vendeve shumë të kualifikuara dhe të mirëpaguara të punës, jo vetëm për zonën, por për të gjithë vendin,” deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel.

Në zonën e Kërçovës, kompania belge do të fokusohet në zhvillimin dhe prodhimin e Sistemeve të Menaxhimit të Baterive dhe sistemeve elektronike të fuqisë. Prodhimi do të fillojë vitin tjetër dhe parashikohet të jetë 300 mijë bateri në vit.

Por ky është vetëm investimi i fundit, që Maqedonia e Veriut kontrakton në këtë industri. Në gusht të vitit të kaluar, qeveria maqedonase nënshkroi një kontratë me prodhuesin gjerman të automjeteve elektrike Next.e.GO Mobile për ndërtimin e një fabrike që do të prodhojë makina elektrike.

Sipas marrëveshjes, gjigandi gjerman do të investojë 130 milionë euro për ndërtimin e fabrikës dhe do të hapë 900 vende të reja pune. Fabrika që tashmë është duke u ndërtuar ka një kapacitet prodhues prej 30 mijë automjetesh në vit dhe pritet të fillojë prodhimin në fund të vitit tjetër.

Sipas të dhënave zyrtare nga zyra e statistikave, vitin e kaluar Maqedonia e Veriut eksportoi 8.7 miliardë dollarë mallra gati 2 herë më shumë se Shqipëria, dhe një pjesë e madhe e tyre vinin pikërisht nga sektori i industrisë automotive.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *