20 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Mandati i dytë i Rilindjes shfaros blegtorinë, rezistojnë vetëm gomerët

Në periudhën 2017-2022 numri i gjedhëve në Shqipëri u ul me gati 200 mijë krerë. Sipas INSTAT në fund të vitit 2016, vendi numëronte 492 mijë gjedhë. Por në fund të vitit të kaluar shifra zbriti në 297 mijë krerë. Rënia është plot 40 për qind. E megjithatë, shfarosja e gjedhëve është vetëm një nga aspektet e shfarosjes totale të blegtorisë.

Numri i të imtave u ul gati me 800 mijë përgjatë së njëjtës periudhë. Ai i derrave me 44 mijë, ndërsa numri i shpendëve ra me gati 1.5 milionë. Kjo rënie e fortë në numrin e krerëve të blegtorisë po shkakton rënie në po të njëjtën masë edhe të prodhimeve kryesore blegtorale.

Vetëm në dy vitet e fundit, prodhimi i qumështit ka rënë me 82 mijë tonë në rang kombëtar, ndërsa ai i mishit me 11 mijë tonë. Prodhimet shqiptare po zëvëndësohen gjithmonë e më shumë me ato serbe apo të vendeve të tjera.  

Mandati i dytë i qeverisë socialiste ka rezultuar dramatik për blegtorinë. Numrat nuk flasin thjesht për rënie, por për asgjësim total të një sektori. Fabula në terren është e qartë. Mijëra familje në fshat po therin ose shesin bagëtitë dhe po largohen nga Shqipëria.

Propaganda e qeverisë për rritjen e mbështetjes financiare për bujqit nuk ka mjaftuar të ndalë fenomenin asgjësues. Me këto ritme, shumë shpejt në Shqipëri do të mbesin vetëm gomerët. Sepse statistikat e INSTAT tregojnë se një thundrakët janë ata që kanë rënien më të ulët në numra.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *