Ministria e Drejtësisë ka propozuar një projektligj, që sipas saj forcon kontrollin shtetëror mbi përfaqësuesit privatë. Sipas relacionit të draftit, qëllimi i ndryshimeve është mbi të gjitha detyrimi i përmbaruesve privatë, që kur u hiqet licenca të dorëzojnë dosjet përmbarimore.
“Gjithë qëllimi i ndërhyrjes është për të adresuar situatën e deritanishme me të cilën është përballur Ministria e Drejtësisë, që ka hequr licenca dhe çregjistruar përmbarues gjyqësorë nga Regjistri i Përmbaruesve, ndërkohë që nuk ka arritur në asnjë prej këtyre rasteve të marrë në dorëzim dosjet/çështjet aktive dhe arkivin e tyre përmbarimor, duke shkaktuar pasoja të rënda tek palët e këtyre proceseve përmbarimore, si në rastin e debitorëve (sekuestro të mbetura efektive) ashtu edhe të kreditorëve, të cilëve u janë cenuar interesat me mosvijimin e veprimeve procedurale të lëna në mes, apo rifillimin e tyre nga subjektet përmbarimore që janë aktive,” thuhet në relacion.
Sipas projektligjit, urdhri i ministrit për heqjen e licencës së përmbaruesit do të përbëjë titull ekzekutiv dhe në rast se përmbaruesit nuk e zbatojnë atë do të përballen me përgjegjësi penale.
“Deri më sot, mekanizmi që e konsideron urdhrin e ministrit për heqjen e licencës si titull ekzekutiv, që do të duhet të vihet në ekzekutim po nga shërbimi përmbarimor (shtetëror) për të marrë dosjet dhe arkivat në dorëzim në këto raste, nuk është as efektiv, as i mjaftueshëm. Këto raste duhet të adresohen përmes rrugës ligjore penale. Kushdo që nuk pranon të dorëzojë vulën, dokumentin identifikues të përmbaruesit, dosjet dhe arkivin, do të duhet të përballet me përgjegjësinë penale dhe organet e rendit publik që sigurojnë marrjen e dokumentacionit përmbarimor, forcërisht,” thuhet në relacion.
Kaosi i shërbimit përmbarimor shpërtheu në rastin e mikrokredive, kur përmbarues të cilëve u ishte hequr licenca kryenin ekzekutime të pronave të qytetarëve dhe jepnin vulat e tyre me qira për të shtrënguar qytetarët përmes presionit.