19 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Maxhoranca propozon uljen e garancisë financiare për koncesionet

Ngërçi i disa kontratave koncesionare, veçanërisht në ndërtim rrugësh, duket se e kanë shtyrë maxhorancën që të ndryshojë ligjin e koncesioneve. Deputeti socialist Laert Duraj ka propozuar një projektligj, i cili ul garancinë e kërkuar për kontratat koncesionare.

Sipas draftit të depozituar në Parlament, garancia financiare që shteti u kërkon kompanive të cilat fitojnë kontrata koncesionare ulet gradualisht me avancimin e punimeve.

“Nga zbatimi në praktikë i ligjit, mënyra e përllogaritjes së garancisë së realizimit të kontratës ka rezultuar në vlera mjaft të larta, të cilat pengojnë financimin real të projektit që synon të zhvillohet” e argumenton deputeti socialist propozimin e tij për uljen e garancisë.

Ndryshimi

Aktualisht ligji ekzistues i koncesioneve detyron kompanitë që fitojnë kontrata koncesionare të ngrijnë për llogari të shtetit një garanci financiare sa 5 për qind e vlerës së kontratëst. Kjo garanci ulet gradualisht me avancimin e punimeve, por nuk zbret asnjëherë poshtë nivelit sa 25 për qind e garancisë fillestare.

Sipas projektligjit të propozuar nga deputeti Duraj, garancia financiare për koncesionet e punëve publike do të jetë 5 për qind e vlerës së ndërtimit, ndërsa pas përfundimit të ndërtimit ajo ulet në 5 për qind e vlerës së mbetur të kontratës.

Ndryshimet e propozuar në ligjin e koncesioneve lehtësojnë kompanitë që kanë fituar kontratat e mëdha koncesionare në ndërtim rrugësh, ku vlerat e larta të kontratës imponojnë garanci të mëdha financiare, që kompanitë duhet të ngrijnë për llogari të shtetit.

Ndër to përmenden 3 kontratat koncesionare të segmentit Milot Fier, të cilat në total kanë një vlerë prej gati 1 miliardë euro.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *