14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Maxhoranca si bandë/ Propozon ligj për të betonizuar zonat e mbrojtura

Një grup prej 12 deputetësh të Partisë Socialiste ka propozuar një projektligj, i cili i hap rrugën ndërtimeve masive në zonat e mbrojtura të vendit, përfshirë në kategorinë më të lartë të mbrojtjes, atë të parqeve kombëtare.

Drafti i depozituar në Kuvend, ndryshon ligjin ekzistues “Për zonat e mbrojtura”, me qëllim që të lejohen investimeve në ato territore, ku aktualisht janë të ndaluara. Deputetët e argumentojnë nevojën e ndryshimit të ligjit me pengesat e krijuara në terren për të zhvilluar projekte brenda zonave që gëzojnë status mbrojtjeje, të cilën ligji aktual e ndalon për shkak të dëmeve të pakthyeshme që sjellin në mjedis.

Drafti kërkon ndryshime edhe për “Parqet Kombëtare”, që janë ndër zonat me kategorinë më të lartë të mbrojtjes, duke kërkuar të bëhen përjashtime në rastet kur Këshilli Kombëtar i Territorit, ministria përgjegjëse apo bashkitë përkatëse evidentojnë se investimi është i një niveli të rëndësisë kombëtare, por që gjithsesi duhet të respektojë kriteret e mbrojtjes. Sipas relacionit shoqërues, projektligji ka si qellim rregullimin e disa problematikave që vijnë si pasojë e zbatimit te ligjit aktual në terren. Gjithashtu, sipas deputetëve ligji aktual nuk zgjidh ngërçe që ekzistojnë në realitet, si mbivendosja e “Zonave me Perparesi Zhvillimi” me “Zonat e Mbrojtura”.

Kjo nuk është hera e parë, që synohet t’i hapet rrugë investimeve brenda zonave të mbrojtura. Në janar të vitit 2022, qeveria miratoi hartat e reja që frazmentarizonin këto territore, pas një procesi që është kundërshtuar ashpër nga organizatat e shoqërisë civile që operojnë në fushën e mjedisit. Tashmë kjo çështje është depozituar edhe në gjykatë, teksa organizatat kanë argumentuar se “vendimet synojnë të ligjërojnë shkatërrimin e zonave të mbrojtura bregdetare dhe ligatinore të Shqipërisë, duke prekur Liqenin e Shkodrës, ekosistemin Bunë-Velipojë, ligatinat Kune-Vain, Tale dhe Patok, Parqet Kombëtare të Divjakë-Karavastasë dhe të Butrintit, si dhe zonat Vjosë-Nartë e Pishë-Poro”.

Aktualisht janë disa zona në bregdet, veccanërisht atë të Jugut, të cilat gëzojnë statusin e zonave të mbrojtura. Mbi këto territore kanë shtrirë tentakulat interesat e oligarkisë dhe madje edhe vetë zyrtarë të qeverisë direkt. Pak javë më parë, Këshilli Bashkiak i Himarës nisi ndryshimin e planit vendor me direktivë nga Tirana. Në relacionin që argumentonte nismën për ndryshimin e planit vendor i kushtohej një paragraf edhe faktit se në Himarë po pengohen investime të rëndësishme në disa zona që gëzojnë status mbrojtje. Tashmë edhe kjo pengesë me sa duket do të kalojë, teksa 12 socialistë me mandat deputeti janë vënë në rresht duke propozuar shkallmimin e digës së fundit që ka mbrojtur disa zona të lakmuara në bregdetin e vendit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *