3 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

MC Networking ankimon tenderin 550 mijë euro të AKSHIT

Kompania MC Networking ka ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik tenderin 59.8 milionë lekë për shërbimin e internetit të AKSHI-t. Sipas dokumentave të dorëzuara në KPP, kompania pretendon se kriteret e vendosura nga AKSHI në këtë tender janë abuzive dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi.

“Pasi studiuam dokumentat e tenderit të kësaj procedure prokurimi konstatuam se kriteret kualifikuese, specifikimet teknike dhe hartimi i dokumentave të tenderit është bërë në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik,” thuhet në ankesë.

Në ankesë kompania ka kundërshtuar kriterin kualifikues të xhiros që është vendosur në kërkesat e tenderit si në kundërshtim me vendimin e qeverisë për rregullat e prokurimit publik.

Po ashtu ajo ka kërkuar përcaktimin e kohës, kur janë kryer kontratat e ngjashme si dhe modifikimin e kërkesës për autorizim nga AKEP, të cilin AKSHI e kërkon për të gjithë Shqipërinë, ndërkohë që shërbimi kryhet vetëm në Tiranë.

Kohët e fundit janë disa kompani si Kreatx, G.A.C apo dhe të tjera, të cilat po ankimojnë tenderat e AKSHI-t për kritere diskriminuese apo në kundërshtim me ligjet në fuqi. Madje disa prej këtyre ankesave kanë rezultuar edhe në përmbysjen e fituesit të tenderave në Komisionin e Prokurimit Publik.

Tenderi 550 mijë euro për furnizimin e AKSHI-t me shërbim interneti për një periudhë dy vjeçare është i dyti brenda pak muajsh. Më parë ky institucion prokuroi një kontratë me vlerë mbi 17 milionë euro, e cila parashikon furnizimin e një sërë institucioneve shtetërore me internet. Kjo kontratë e përcaktuar si marrëveshje kuadër u fitua nga dy oferta, ajo e kompanisë One dhe tjetra e Vodafone.  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *