12 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Më mirë një komision i majmë sesa korrupsion qoftë dhe modest

Ylli Manjani
Kam idenë se kjo është çështja e investimit të kërkuar në Sazan e Zvërnec. Kam bindjen se kjo është zgjedhja që ka bërë kompania arabe në këtë rast.
Shiheni pak me sytë e realitetit këtë gjë dhe jo me sytë politike se kush e ka mirë me Trump e kush jo.
Kompania në fjalë ka synim strategjik të rrisë prezencën në Europë. Ballkani e veçanërisht bregdeti është shumë joshës për ta. Askund në europën e saturuar nuk ekzistojnë mundësi investimi si në ballkan, dmth edhe në Shqipëri.
Pyetja është si të hysh në këto shtete të korruptuara fund e krye?! Si të hysh në këto shtete ku shtetari që çon tek sekseri, apo “partneri me detyrim lokal”?!
Disa emra e kanë pranuar këtë “bashkëpunim”. Të tjerë kanë ikur në Mal të Zi ku e kanë shtetin pronto. Ky është realitet.
Besoj se në këtë dilemë ka qenë edhe kompania Arabe, e cila e ka zgjidhur duke marrë si ndërmjetës dhëndërrin e Trump . Më mirë i paguan komisionin Amerikanit sesa korrupsionin shqiptarit që shet mend më shumë sesa një amerikan.
Ja kështu e ka zgjidhur. Dhe kjo zgjidhje nuk është meritë, por turp ynë që nuk përthithim direkt pa asnjë ndërmjetës investitorë të tillë të mëdhenj. Po të kishte trokitur direkt në derën tonë, do ta çonim tek bisnesmeni i radhës, apo sekseri VIP. Ndaj arabi shkoi tek VIP i vërtetë.
Ky është rasti për të kuptuar se në ç’derexhe janë investimet e huaja direkte dhe në tërësi klima e të bërit bisnes. Meqë ra fjala, a mund të më gjeni një shtet normal që burgos kaq shumë bisnesmenë sa Shqipëria?! Po ndonjë shtet që paranë, punën e lirinë ekonomike e ka përqendruar në pak duar, madje në gishtat e njërës dorë?!
Nuk po marr fare mundimin të parashikoj ferrin që kalon çdo investitor në këtë vend ku ka përballë një administradë publike, që ndonëse militante është e mpirë, e ngurtë e jo rrallë herë dallkauke.
Por ky realitet duhet lexuar kështu siç është. Më vjen keq që as politika, as media e as komentuesit publikë nuk e shohin këtë gjë që po na merr frymën si shtet e si komb.
Kur ta gjeni se kush e ka më mirë me Trump-in, na thoni.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *