15 Prill, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Mete: Borxhi publik ra në 59% e PBB vitin e kaluar

Ministri i Financave Ervin Mete gjatë mbledhjes së Konstituencës me FMN dhe BB e cila u zhvillua sot për herë të parë Shqipëri u shpreh se këto janë takime që i shërbejnë diskutimeve mbi zhvillimet e fundit në vendimmarrjet e ardhshme të këtyre institucioneve si edhe shkëmbimit të mendimeve në lidhje me sfidat me të cilat përballen ekonomitë e vendeve tona.

Mete evidentoi gjithashtu se turizmi në vend është kthyer në një mbështetës të fortë të zhvillimit dhe rritjes ekonomike për ne, ashtu siç ka qënë prej vitesh për shumicën e vendeve të pranishme në këtë takim. “Kontributi i këtij sektori, krahas sektorëve të tjerë, ka qënë i rëndësishëm për qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare në përballje me një seri goditjesh, ku veç pandemisë dhe efekteve të konfliktit Rusi-Ukrainë, vendit tonë iu desh të përballej edhe me pasojat e një tërmeti shkatërrues të vitit 2019.”

Gjithashtu mete rikujtoi se edhe në vlerësimet e Fondit Monetar dhe Bankës Botërore, Shqipëria rezultoi si një nga ekonomitë më rezistente në rajon dhe kjo qëndrueshmëri është inkurajuese edhe për perspektivën afatmesme dhe afatgjatë, si edhe për shëndetshmërinë e financave publike në vend.

“Kemi pasur një ecuri të mirë të ekonomisë, punësimit, të ardhurave dhe investimeve të huaja. Standard and Poor’s në fund të vitit të kaluar rishikoi perspektivën e Shqipërisë nga e qëndrueshme në pozitive,” tha ai.

Mete theksoi gjithashtu se borxhi publik jo vetëm zbriti në nivelet e para krizave, por arriti nën 60% për herë të parë që nga viti 2011, duke shënuar një nivel prej 59.2% në fund të vitit 2023, sipas vlerësimeve më të fundit, duke e vendosur Shqipërinë ndër vendet që kanë ulur me ritmin më të shpejtë borxhin publik në rajon.

“Jemi angazhuar së fundmi në finalizimin e një strategjie të Menaxhimit të Financave Publike, në koordinim me Bashkimin Evropian, si një nga parakushtet themelore të avancimit me negociatat drejt BE-së, negociata në të cilat kemi pasur vlerësime shumë pozitive nga Komisioni,” shtoi ai.

Objektiv mbetet arritja e një rritjeje të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, por tashmë edhe të gjelbër, vijoi ai, pasi Shqipëria dhe rajoni janë në një pozicion të favorshëm për të realizuar veçanërisht këtë të fundit. “Ne kemi vendosur objektivin e transformimit të Shqipërisë në eksportues neto të energjisë, bazuar në zgjerimin e burimeve të rinovueshme dhe synojmë të zgjerojmë investimet e qëndrueshme në të gjithë sektorët e ekonomisë, duke adoptuar një kuadër efektiv të taksonomisë së gjelbër,” shtoi ai.

Mete tha gjithashtu se aktualisht qeveria ka vendosur si objektiv inovacionin, digjitalizimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale, që është edhe një nga temat e diskutimit sot dhe do të jetë një nga elementët që e ardhmja dikton ta vëmë në funksion të rritjes së produktivitetit dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike.

“Sfidat për të cilat diskutojmë nuk janë të reja, as të veçuara, madje janë shumë të ndërlidhura mes vendeve, pavarësisht madhësisë së tyre. Në këtë frymë, mendoj se ndarja e mendimeve sot dhe shkëmbimi i eksperiencave do t’i vlejë adresimit sa më efektiv të këtyre sfidave”, tha ai.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *