6 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Miliardat e dherave/ Risena Xhaja “fut duart” tek Inceneratori i Tiranës, “ndryshon” administratorin

Ndërsa hetimet e SPAK për inceneratorin e Tiranës nuk përfundojnë kurrë dhe janë copëzuar në dhjetra fraksione, kohët e fundit ka zhvillime të rëndësishme në krahun administrativ. Risena Xhaja duket se ka shkuar me mision të qartë në krye të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara. Një muaj pas emërimit të saj në këtë detyrë, Xhaja ka futur duart tek Inceneratori i Tiranës duke emëruar një administator të dytë, ish drejtorin e Tatimeve të Elbasanit, Indrit Karajn.

“Depozitim i kërkesës datë 06.11.2024, ardhur nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, dhe dokumentacionit shoqërues, ku percaktohet se funksioni i administratorit per pasurite e sekuestruara do te ushtrohen nga dy administratoret : Arjan Baci dhe Indrit Karaj si administrator i cili do te mbaje detyrat funksionale te perfaqesimit te shoqerise me palet e treta,” thuhet në ekstraktin e kompanisë në QKB.

Por ndonëse në pamje të parë, ky duket si një dublim dhe vendosjen e kompanisë së inceneratorit nën administrim dysh, praktikisht ai është një ndryshim i administratorit që do të menaxhojë operacionet e përditshme të kompanisë koncesionare të inceneratorit. Kapitali ka mësuar se Xhaja i ka hequr thuajse të gjitha kompetencat ekzekutive administratorit ekzistues, duke ja besuar ato të gjitha Indrit Karajt.

Luftë për menaxhim dhe miliona

Ndryshimi de fakto i administratorit shtetëror të inceneratorit nuk është një veprim rutin burokratik. Më parë, nën rrogoz është zhvilluar një luftë e fortë për të marrë administrimin e kompanisë. Arsyeja është sepse paratë tek inceneratori vazhdojnë lumë. Jo vetëm ato që paguhen nga buxheti i shtetit për depozitimin e mbetjeve, por edhe paratë e ndërtuesve për dherat.

Ky është një biznes i madh, ku të gjithë duan të fusin duart. Jo më kot, që nga momenti kur inceneratori u sekuestrua nga SPAK, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara ka qenë nën presion të vazhdueshëm.

Jo vetëm nga grupi privat që e zotëronte këtë koncesion, por edhe nga ndërhyrjet të figurave të fuqishme me pushtet politik. Këto presione u denoncuan dhe në media, por ajo që ndodhi më pas ishte shkarkimi i kreut të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara, Ardian Koni. Nën zë flitet se arsyet e largimit të Konit lidhen pikërisht me inceneratorin e Tiranës.

Tashmë në krye të Agjencisë gjendet Risena Xhaja, e cila nuk duroi më shumë se një muaj për të futur duart. Dhe ndërsa SPAK tjerr hetimet e inceneratorit të Tiranës si pëlhura e famshme e Penelopës, duket se mbi koncesionin po shtrihen sërish duart e gjata. Vetëm biznesi i dherave sjell miliona euro në vit dhe mjafton të kesh fuqinë për të vendosur se sa kamionë regjistrohen dhe sa jo.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *