17 Maj, 2025
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Miniera e Bulqizës vihet peng në bankë

Miniera e kromit në Bulqizë ka përfunduar si peng në bankë. Pronarët turq të minierës kanë vendosur kuotat e shoqërisë koncesionare Albchrome shpk si garanci për shlyerjen e një kredie të madhe të marrë nga banka Raiffeisen në Shqipëri.

Vendosja e minierës më të madhe në vend si peng në bankë është miratuar edhe nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si autoriteti kontraktor i koncesionit.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pas takimeve të realizuara me përfaqësuesit tuaj dhe komunikimeve me institucionet e tjera shtetërore, në lidhje me këtë kërkesë, si dhe duke ju referuar parashikimeve përkatëse në marrëveshjen e koncesionit, shprehet parimisht dakord për vendosjen e barrës mbi kuotat e komponentit 1A, prej 20.6 milionë eurosh, që përbën vlerën për ristrukturimin e huasë ekzistuese të shoqërisë Albchrome,” thuhet në shkresën e MIE drejtuar shoqërisë Albchrome përmes të cilës miratohet vendosja e kuotave të saj si garanci në bankë.

Nuk dihet nëse Albchrome është detyruar nga vështirësitë financiare të kërkojë ristrukturimin e borxheve të vjetra në banka. Në vitin 2022 koncesionari i minierës së kromit në Bulqizë fitoi rreth 45 milionë euro para taksave, ndërsa bilanci i vitit të kaluar nuk është bërë ende publik.

Megjithatë vendosja e aseteve publike si garanci në banka i ekspozon ato përpara riskut të tjetërsimit dhe më pas falimentimit, siç ndodhi dhe me uzinën rafinimit të naftës në Ballsh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *