15 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Ministria e Turizmit konfirmon projektin e Kushner në Sazan

Ministria e Turizmit ka konfirmuar se  Jared Kushner, dhëndrri i Donald Trump, ka shprehur interes për zhvillimin e një projekti turistik në ishullin e Sazanit. Në një reagim për Zërin e Amerikës ministria e Turizmit e quajti interesimin e investitorëve të mëdhenj për projekte turistike në Shqipëri si një lajm të mirë.

Ministria shqiptare e Turizmit dhe Mjedisit i tha Zërit të Amerikës se kompania e zotit Kushner ka paraqitur një aplikim pranë Agjencisë së Zhvillimit të investimeve “për një projekt turistik në ishullin e Sazanit, si shumë aplikime që bëhen nga investitorë të huaj, dhe lajmi i mirë është që tanimë turizmi ka hyrë në sektorët e interesit të investitorëve të huaj, jo vetëm të shqiptarëve. Por sipas ligjit, projekti duhet të kalojë në disa shkallë shqyrtimesh, para se të merren vendime, por gjithsesi, deri sot, një projekt i tillë nuk ka ardhur ende në Ministrinë e Turizmit dhe të Mjedisit”.

Në shpjegimin e saj, Ministria shprehet se “ka pasur edhe më parë interesime e kërkesa për zhvillim turistik në ishullin e Sazanit, çka padiskutim përkon në parim me ambicien tonë për ta kthyer ishullin në një xhevahir të kurorës së turizmit mesdhetar, por i kemi refuzuar, sepse objektivat zhvillimore të të interesuarve nuk i kemi konsideruar në perputhje me vizionin e një turizmi miqësor me mjedisin dhe natyrën, ekuilibër i domosdoshëm për Shqipërinë turistike të vizionit 2030”.

Për rastin e Zvërnecit, ministria tha se nuk ka dijeni për një projekt të tillë, duke shtuar se “çdo propozim e përpjekje për të investuar në Shqipëri është i mirësardhur. Qeveria shqiptare nuk e ka fshehur ambicien për nxitjen dhe lehtësimin e investimeve cilësore në turizmin e ekselencës dhe të hotelerisë me 5 yje, me standarte ndërkombëtare. Çdo investitor serioz që vjen, për më tepër nga vende aleate strategjike të Shqipërisë siç janë edhe SHBA-të, e ka derën të hapur për të kontribuar në rritjen cilësore të turizmit dhe të standarteve të larta në këtë sektor jetik për ekonominë e vendit”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *