4 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Monopoli i çmimit të qumështit/ Eksperti: Fermerët të bashkohen, kanë mbështetjen më të ulët në rajon

Ulja e çmimit të blerjes nga grumbulluesit të qumështit të të imtave, pra dele dhe dhi, i ka vënë në vështirësi fermerët. Sipas ekspertit të bujqësisë Ilir Pilku kjo ndodh për shkak të mos organizimit të tyre.

Ilir Pilku: Blegtorët që mbarështojnë të imtat duhet të organizohen në shoqata, në grupet e tyre të interesit dhe të lobojnë si ndaj grumbulluesve dhe përpunuesve, ashtu dhe ndaj politikave mbështetëse të shtetit. Kemi një problematikë me qumështin e të imtave të cilat kanë një rënie në çmim 30 deri në 40 lekë të reja për litër qumësht.

Sipas Pilkut, ulja e çmimit nga grumbulluesit, nuk është reflektuar tek çmimi final, pasi konsumatorët vijojnë t’i blejnë shtrenjtë nënproduktete bulmetit.

Ilir Pilku: Kaçkavalli, djathi i bardhë, gjalpi në tregjet ku tregtohen kanë të njëjtin çmim të lartë. Pra nuk e ka reflektuar atë çmim të cilin ata supozojnë ose duan të marrin qumështin. Norma ose marzhi i fitimit për përpunuesin është shumë më i lartë sesa për prodhuesin e qumështit.

Veç fuqizimit të fermerëve dhe bashkimit të tyre në grupe vendore, eksperti thotë për Tv Klan se duhet mbështetje më e madhe nga qeveria, pasi feremerët shqiptarë janë më keq të trajtuarit në rajon.

Ilir Pilku: Vlera financiare e mbështetjes duhet të jetë më e lartë në mënyrë që këtë sektor ta rigjenerojmë. Ka kërkesën më të madhe në bazë dhe të zhvillimit të turizmit. 10 mln turistë, presim të bëhen 15 mln në 2024-ën e në vazhdim, me çfarë lënde të parë, me çfarë ushqimi do të trajtohen? Ndaj duhet të rrisim si prodhimin e mishit të të imtave ashtu dhe nënprodukteve të bulmetit.

Pritet që javën e ardhshme Ministria e Bujqësisë të hapi aplikimin për skemën e re të mbështetjes në bujqësi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *