Klodian Tomorri
Albital-Canon, Atom dhe S&T Albania janë tre kompani në dukje të ndryshme nga njëra tjetra. Por ato kanë një lidhje shumë të fortë. Dominimin e tenderave të OSHEE-së në sektorin e IT-së. Dhe ky është një biznes shumë i madh.
Të dhënat zyrtare nga thesari i shtetit tregojnë se të trejat kompanitë kanë përfituar së bashku mbi 16 milionë euro nga OSHEE në tendera me garë të kompromentuar si dhe me dyshime të forta për koluzion dhe marrëveshje të ndaluara.
Grafiku më sipër tregon të gjitha tenderat e OSHEE në sektorin e IT-së nga viti 2018 deri më sot të fituara në bashkëpunim nga këto kompani. Pjesa dërrmuese e tenderave fitohen thuajse në kokë, në intervale që luhaten nga 97 deri në 99 për qind të fondit limit. E gjitha është një skenë e madhe krimi.
Koluzion, marrëveshje të ndaluara!!!
Në pjesën dërrmuese të tenderave të OSHEE paraqesin oferta vetëm këto tre kompani.
Për shembull në tenderin e fundit, atë për rritjen e sigurisë së kapaciteteve dhe infrastrukturës së netëork me fond limit 129.8 milionë lekë, Albital-Canon dhe Axians Albania, që më parë ka mbajtur emrin S&T Albania paraqesin ofertë të përbashkët në vlerën 126.6 milionë lekë dhe shpallen fituese.
Kompania tjetër, ATOM paraqet ofertë 128.4 milionë lekë, ndërsa oferta e tretë është e kompanisë iCom, por kjo e fundit duket fiktive, pasi nuk ka asnjë dokumentacion. Ofertat e Atom dhe iCom janë thjesht koperturë për të krijuar idenë që tenderi ka garë. Ky është një dyshim i fortë që mbeshtetet nga fakte.
Në tenderin e parafundit, atë të rinovimit të infrastrukturës së datacenterit me vlerë limit 179.9 milionë Albital-Canon, Atom dhe Axians paraqesin ofertë të përbashkët me vlerë 175 milionë lekë dhe shpallen fituese. Në këtë tender kishte vetëm një ofertë tjetër, ajo e OVLA Systems, por kjo e fundit nuk plotësonte asnjë kriter.
Në tenderin për mirëmbajtjen e infrastrukturës të Data Center në Primary Site, të zhvilluar në mars të vitit të kaluar, Albital-Canon dhe S&T Albania (tani Axian Albania) ishin sërish me ofertë të përbashkët. Vlera limit e tenderit ishte 138 milionë, ndërsa oferta e të dy kompanive ishte 134.2 milionë lekë dhe sigurisht u shpall fituese.
Në këtë tender pati vetëm dy oferta të tjera. E para ishte e kompanisë Atom, ndërsa tjetra e kompanisë Real Com.
Atom luan në marrëveshje me Albital-Canon dhe duket se hyn në garë thjesht për koperturë. Ndërsa kompania tjetër Real Com zotërohet nga aksioneri kryesor i Albital Canon, Servet Kasa.
Me pak fjalë Servet Kasa garon me veten në tenderat e OSHEE. Këtu koluzioni është haptazi dhe tenderi në shkelje të qartë të ligjit, pasi ligji i prokurimeve i ndalon ofertat e ndryshme nga kompani me të njëjtin pronar.
Monopol shushunjash
Albital-Canon, Axians Albania apo ish S&T Albania dhe Atom kanë monopolin absolut të tenderave të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë në sektorin e IT-së. Dyshimi i madh se këto kompani janë në kartel me njëra tjetrën dhe luajnë të koordinuara. Më pas ndajnë paratë e tenderave të manipuluar.
Mes Axians dhe Atom ka faturime të ndërsjellta. Ky është një fakt që Autoriteti i Konkurrencës apo organet e drejtësisë mund ta verifikojnë lehtësisht, mjafton të shohin librat e shitjeve të kompanive.
Sepse ky është një monopol shushunjash, që u kushton shtrenjtë shqiptarëve. Por kolona e tij nuk janë tre kompanitë, por vetë OSHEE.