19 Prill, 2025
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Ndërtimi i hekurudhës Vorë-Hani i Hotit/ BERZH mbyll fazën e parakualifikimit për projektin me vlerë 368 mln euro

Pas shtyrjes 1-mujore Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka përmbyllur fazën e parë të tenderit për ndërtimin e hekurudhës Vorë – Hani i Hotit. Procedura e prokurimit publik u hap në muajin dhjetor dhe sipas afateve kompanitë e interesuara do të mund të dorëzonin ofertat deri në datën 24 janar 2025, por më pas BERZH njoftoi shtyrjen e afatit deri në datën 24 shkurt.

Ndërkaq, përditësimi i fundit në faqen e prokurimeve publike të BERZH tregon se shprehja e interesit nga kompanitë e interesuara është mbyllur. Kjo ishte fazë parakualifikimi, çka do të thotë se kompanitë që do të kalojnë këtë fazë të parë do të ftohen të ofertojnë në një fazë të dytë, deri në përzgjedhjen e kompanisë që do të zbatojë punimet.

Me përmbylljen e procedurave tenderuese dhe lidhjes së kontratës, i hapet rruga zbatimit të punimeve për një nga projektet më të rëndësishme hekurudhore në vend.

Sikurse është bërë e ditur më herët punimet kryesore do të përfshijë modernizimin e rreth 120 km rrugë të përhershme midis Vorës dhe Hanit të Hotit për të arritur shpejtësi maksimale operimi 100–120 km/orë.

Ato do të përfshijnë zgjerim deri në 6.6 m dhe forcim të formacionit, zëvendësim ose rehabilitim të rreth 12 urave kryesore, plus urave dhe kanaleve të tjera të vogla, si dhe zgjerim dhe modernizim të tunelit të Lezhës. Po ashtu, do të kryhet ndërrimi i superstrukturës, si dhe ndërtimi, zëvendësimi ose rehabilitimi i rreth 13 stacioneve.

Kosto totale për rehabilitimin e linjës hekurudhore që do të lidhë Shqipërinë me Malin e Zi është 368 milionë euro dhe bashkëfinancohet me kredi të dhëna nga Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, një granti të Bashkimit Evropian dhe qeverisë shqiptare që do të mbulojë koston e çdo zhvendosjeje të tokës, risistemimin, dhe taksat e nevojshme për të finalizuar projektin.

Scan

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *