16 Mars, 2025
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Ndërtuesit: Çfarë krize! Në Tiranë s’ka stok apartamentesh të pashitura

Kreu i Shoqatës së Ndërtuesve, Erjon Harizi, ka hedhur poshtë lajmet për krizë në sektorin e ndërtimit. I ftuar në “MCN live”, Harizi jo vetëm që mohoi se në Tiranë ka rritje të numrit të apartamenteve të pashitura, por deklaroi se aktualisht në treg ka mungesë për to, veçanërisht për apartamentet me hipotekë.

“Atëherë dua të them se nuk bie dakord me stokun që është i pa shitur dhe duhet të ndahet në dy pjesë. Sot ka një mungesë tregu të apartamenteve me hipotekë. Sot në Tiranë të gjesh shtëpi me hipotekë është e vështirë dhe ne nuk na rezulton të kemi stok të apartamenteve të pa shitura, por ndoshta këtu është për tu llogaritur që ata që i kanë blerë janë jashtë shtetit ose i kanë blerë si shtëpi të dyta dhe të treta, pra janë të papërdorura dhe jo stok i pa shitur por stok i papërdorur,” tha Harizi.

Ai deklaroi se një pjesë e madhe e kullave në Tiranë janë hotele, ndërkohë që ato të cilat kanë apartamente janë thuajse të shitura në masën 100 për qind.

“Ndërsa kur flasim për kullat mund të them se pjesa më e madhe e tyre janë hotele, që do të thotë nuk janë për shitje. Në Tiranë janë të përfunduara 5-6 kulla dhe është dhënë leja për 5-6 të tjera në zonën ë bulevardit të ri. Në ato të përfunduara 3 nga ato janë hotele dhe nuk është se në to ka apartamente të pa shitura. Kulla sot nuk ka shumë produkt të pa shitur, të paktën këto të ndërtuarat, ndërsa ato që janë në zhvillim duhet të presim dhe të shohim,” përfundoi Harizi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *