14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Ndërtuesit mbajnë lart optimizmin në ekonomi, por bie besimi konsumator

Indeksi që mat perceptimin e bizneseve dhe qytetarëve për gjendjen e ekonomisë u përmirësua sërish muajin e kaluar.

Banka e Shqipërisë raportoi se në gusht Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) u rrit me 2.1 pikë krahasuar me një muaj më parë, i udhëhequr kryesisht nga optimizmi i ndërtuesve dhe bizneset e shërbimeve. Por jo të gjithë aktorët e ekonomisë kanë të njëjtin perceptim për situatën ekonomike.

“Rritja e TNE-së u përcaktua nga rritja e besimit në sektorët e shërbimeve dhe ndërtimit. Ndërkohë, besimi në bizneset e tregtisë dhe të industrisë, si dhe besimi konsumator regjistruan rënie,” raportoi BSH.

Ndërtimi dhe shërbimet
Treguesi i besimit në ndërtim u rrit me 5.1 pikë përqindje në muajin gusht. Ky tregues qëndron rreth 30 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë falë situatës së mirë të sektorit. BSH thotë se rritja e optimizmit tek ndërtuesit këtë muaj u përcaktua si nga vlerësimet më të mira për aktivitetin aktual ndërtues, ashtu dhe për nivelin e porosive aktuale. Pritjet për punësimin janë në rritje dhe ato për çmimet në të ardhmen janë në rënie.

Nga ana tjetër edhe treguesi i besimit në shërbime u rrit ndjeshëm me 8.6 pikë përqindje në muajin gusht. Rritja e besimit në këtë sektor është e lidhur me situatën e mirë që po kalon sektori i turizmit.

“Niveli i besimit në sektorin e shërbimeve qëndron në intervalin e vlerave më të larta historike, rreth 24.4 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë,”deklaron BSH. Sipas saj, të dy komponentët përbërës të treguesit si ecuria aktuale e aktivitetit ashtu dhe niveli i kërkesës, kanë regjistruar rritje të fortë.

Industria, tregtia dhe konsumatorët më pesimiste
Treguesi i besimit të industrisë (TBI) ra me 5 pikë përqindje në muajin gusht, i ndikuar nga vlerësimet jo optimiste për prodhimin aktual dhe për kontratat porositëse. Megjithatë, niveli i TBI-së qëndron 8.8 pikë përqindje mbi mesataren historike.

Treguesi i besimit në tregti (TBT) u tkurr me 2.8 pikë përqindje në muajin gusht, i ndikuar kryesisht nga vlerësime jo optimiste mbi ecurinë aktuale të biznesit. Në të kundërt, bizneset e sektorit presin një rritje të porosive dhe të ecurisë së biznesit në të ardhmen e afërt.

Por grupi me pessimist për gjendjen e ekonomisë duken vet qytetarët. BSH raportoi se besimi konsumator ra sërish në gusht për të dytin muaj me radhë.
“Megjithë rënien e dy muajve të fundit, niveli aktual i treguesit mbetet 1.6 pikë përqindje mbi mesataren historike. TBK, këtë muaj, u përcaktua nga pritjet më pak optimiste për situatën financiare dhe blerjet në shuma të mëdha për të ardhmen,” përfundon BSH.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *