21 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Ndryshon projekti/ Elbasan-Qafë Thanë bëhet me tunel

Qeveria ka ndryshuar projektin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë, që është pjesë e korridorit VIII, duke shtuar dhe ndërtimin e një tuneli me gjatësi 3 kilometra. Ndërtimi i kësaj rrugë ka filluar ndërkohë në dy lote, ndërsa ndryshimi i projektit u njoftua nga ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku.

“Kjo është një pjesë e rëndësishme e korridorit të VIII-të, që nis nga fshati Labinot Fushë dhe vazhdon për 44 kilometra në një rrugë me të gjithë parametrat e autostradës moderne sa i takon kushteve të sigurisë dhe të kategorisë së rrugës dhe vazhdon deri në afërsi të Qafë Thanës. Siç edhe jeni në dijeni, pas një bisede intensive me qeverinë e Maqedonisë së Veriut kemi vendosur të ndryshojmë pikën e daljes duke qenë se dhe nga krahu i Maqedonisë së Veriut ka nisur prej kohësh ndërtimi i korridorit të VIII kështu që duke punuar me të dy autoritetet rrugorë dhe me ministritë kemi arritur rezultatin që do ishte më mirë të kishim një pikë dalje më të afërt në territorin shqiptar e cila do të zgjidhet përmes një tuneli 3 kilometra. Bëhet fjalë afër urës së Bushtricës dhe ndërkohë që pika e Qafë Thanës do të vazhdojë të aktive dhe të shërbejë ata qytetarët që duan të shërbehen atje” deklaroi Balluku.

Sipas Ballukut, për lotet e tjera të rrugës, punimet pritet të nisin shumë shpejt. “Konkretisht për lotin 3 dhe 4 punimet pritet të nisin brenda këtij viti ndërkohë që në vitin 2024 do të hapen lotet 5 dhe 6. Viti 2025 do të shënojë hapjen e loteve 7 dhe 8 duke u varur nga ecuria e financimeve,” vijoi ministrja e Infrastrukturës.

Ndërsa kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberi nënvizoi se në lotin e parë me gjatësi 5 kilometra punimet janë duke avancuar me ritme të shpejta. Rruga do të jetë 22 metra e gjerë dhe me katër korsi. Segmenti i dytë 4.5 kilometra në afërsi të Librazhdit ka nisur gjithashtu teksa qeveria ka vendosur që në bazë të zhvillimeve të përshtaste tashmë edhe projektin e Bypass-it të Elbasanit ku projekti i ri do të dorëzohet në nëntor. Ku Bypass me gjatësi 20 kilometra shmang totalisht qytetin.

Ministrja Balluku sqaroi se Bypassi i Elbsanit ka qenë një marrëveshje me financim i huaj por tashmë për të mos zgjatur procedurat do të kërkohet financim nga një institucion i huaj që ka procedura më të përshpejtuara. Sipas ministres në vitin 2024 nis projektimi dhe zgjerimi i rrugës nga Elbasani në Lekaj me dalje në Rrogozhinë për të krijuar kështu akses të mirëfilltë në korridorin VIII teksa lidhja do të jetë e dyfishtë edhe përmes Kashar-Lekaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *