Pogradeci po fiton gjithmonë e më shumë terren në tregun turistikë duke pritur turistë edhe nga vende të largëta. Mimoza Shuli është një nga operatorët turistikë të qytetit të Pogradecit. Në biznesin që ajo drejton rezervimet janë të shumta edhe nga vende të largëta si Meksika.
“Kemi filluar të përgatitemi, me restaurime dhe rritje të cilësisë së shërbimit. Viti i kaluar ishte një vit i suksesshëm, këtë vit presim një fluks më të madh. Rezervimet kanë filluar dhe kemi nga vende që nuk i kemi pasur më parë, kemi nga Meksika, Kanadaja, Amerika, kemi klientë të përhershëm që vijnë, gjermanët çekë dhe polakët tashmë janë miqtë tanë pasi vijnë çdo vit në Pogradec”, Mimoza Shuli, operator turistik.
Edhe këtë vit problem mbetet sigurimi i burimeve njerëzore, edhe në rrethanat kur pagat e punonjësve të shërbimit janë të konsiderueshme.
“Ne kemi një problem me burimet njerëzore, është një problem shumë i madh, sot nuk po flasim për punonjës të kualifikuar, por nuk ka punonjës. Kjo nuk ka të bëjë më me pagën, pasi kushtet nuk i vendos më punëdhënësi por punëmarrësi, i marrim, i intervistojmë, i testojmë dhe i pyesim se çfarë kushtesh kanë”, tha Mimoza Shuli, operatore turistike.
Një vit më parë Pogradeci priti më shumë se 440 mijë turistë vendas dhe të huaj, ndërsa sipas operatorëve turistikë rezervimet për këtë vit janë shumëfish më të mëdha.
Euronews