15 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Nga ndryshon Belua nga Velua?

Klodian Tomorri  

Gjatë fushatës së fundit elektorale për zgjedhjet lokale, thuajse në çdo tryezë apo ambient që më takonte të isha, kisha vetëm një refren bisede. Përpiqesha të bindja këdo që njihja se pse duhej votuar Belind Këllici për bashkinë e Tiranës.

Kurrë më parë nuk isha përfshirë ndonjëherë kaq shumë në fushatë, por këtë herë isha i bindur se largimi i Veliajt ishte emergjencë kombëtare. Megjithatë në njërën prej këtyre bisedave, një mik i cili bën pjesë tek ajo që quhet kategoria gri e votuesve pa shumë interes për politikën më pyeti; po nga ndryshon Belua nga Velua?

Ndryshimi ishte i madh dhe përgjigja ishte e qartë. Belind Këlliçi nuk kishte mbajtur kurrë një post publik, nuk kishte asnjë mëkat në kurriz dhe nuk ishte përfshirë asnjëherë në ndonjë aferë korruptive. Në krahun tjetër, Erjon Veliaj ishte një nga fytyrat ikonë të korrupsionit në pushtetin e kalbur të Rilindjes. Që nga inceneratorët e deri tek dosja 5D. Nuk e di nëse arrita të bindja ndonjë nga miqtë e mi, që të shkonte dhe të votonte për Belind Këlliçin. Por kjo pak rëndësi ka tani.

Dy ditë më parë, Kapitali ekspozoi një nga puçet më të rënda juridike që është bërë kundër shtetit dhe interesit publik në historinë e Shqipërisë. Bëhet fjalë për një vendim qeverie të marsit 2022, i cili nxorri sektorin e mbetjeve nga përgjegjësia shtetërore e ministrisë së Infrastrukturës dhe e la jetime, pa e caktuar në asnjë ministri tjetër. Ai vendim u përdor më vonë për ta bërë shtetin qorr dhe të shurdhër për skandalin korruptiv të inceneratorit.

Në fakt, që në momentin e publikimit të denoncimit isha i vetëdijshëm se Kapitali do të sulmohej. Ajo që nuk ma priste kurrë mendja ishte se sulmi do të vinte nga selia e opozitës.

Një ditë më parë, Belind Këllici lexoi një deklaratë nga selia e Partisë Demokratike, thelbi i të cilës ishte goditja e shkrimit të Kapitalit. “Përpos lajmeve të fabrikuara nga zyra e propagandës së Bashkisë përmes mediave të paguara nga inceneratorët, jo vetëm nr 2 i qeverisë, Belinda Balluku, por mbi të gjitha, Administratori Shtetëror bëjnë përgjegjës Erjon Veliajn dhe specifikisht Erion Veliajn për bllokimin e NJZP, e për pasojë zhdukjen e 132 milionë eurove në drejtim të paditur” deklaroi zoti Këlliçi.

Edhe pse jo nominalisht, referimi ishte i qartë. Kapitali kishte bërë tymnajë për llogari të Erjon Veliajt. Një media dhe një gazetar sulmohet nga selia e opozitës sepse ekspozoi një atentat kundër shtetit dhe qytetarëve nga qeveria. Kjo është për Guines dhe nuk besoj të ketë ndodhur në ndonjë vend të botës.

Nëse në Partinë Demokratike besojnë me të vërtetë se Kapitali paguhet nga inceneratorët dhe Erjon Veliaj, deri në pikën sa të lëshojnë selinë e opozitës për ta sulmuar atë, atëherë aty brenda duhet të jenë vënë në dilemë shumë njerëz. Këta tani kanë të drejtën legjitime të mendojnë se pale sa do të kenë paguar Sali Berisha dhe opozita për Kapitalin, denoncimet e të cilit përdoren shpesh nga opozita në luftën e saj politike kundër qeverisë. Ndoshta miliona. 

Në fakt nuk do doja kurrë të bëja një reagim si ky, sepse besoj fort se një gazetar që godet opozitën hyn në mëkat, dhe të madh madje. Dhe nuk do të kisha reaguar nëse ajo deklaratë do të lëshohej në ndonjë studio televizioni apo takim elektoral. Por kur lëshohet nga selia e opozitës, gjërat ndryshojnë.

Megjithatë unë vazhdoj të jem i bindur se Belind Këlliçi është sot një nga asetet më të mëdha të opozitës. Denoncimet e tij për dosjen 5D dhe aferën e inceneratorit mbeten një kontribut i jashtëzakonshëm për vendin dhe interesin publik. Por për t’u kthyer aty ku e nisa, sot kam një përgjigje edhe më të qartë për mikun që dikur më pyeti nga ndryshon Belua nga Velua.

Velua sulmon gazetarët për të mbrojtur Velon. Belua sulmoi për Belën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *