Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka njoftuar sot nisjen e punimeve për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit të tensionit të lartë 400 kV midis Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Këtu jemi në Korridorin VIII që ka disa komponentë atë energjetik, hekurudhor, rrugor dhe mbi të atë gjitha është korridori i sigurisë europiane”, tha Balluku teksa bëri të ditur se ky korridor, i quajtur ndryshe si “Via Egnatia në energji elektrike”, pjesë e korridorit të 8-të si infrastrukturë themelore ndërkufitare në energji elektrike, do të lidhë ngushtë tregjet e të dy vendeve dhe do të ndikojë në mënyrë të rëndësishme, si në kombinimin e burimeve natyrore për prodhim të energjisë elektrike, ashtu edhe në uljen e kostove respektive të furnizimit të dy tregjeve me energji elektrike, duke rritur konkurrueshmërinë e rajonit, si edhe duke ndikuar direkt në rritjen ekonomike të dy vendeve.
“Kjo linjë interkonjeksioni i shton kapacitetet tona transmetuese me 1500 megavat orë, duke na dhënë komoditet për transmetimin e energjisë. Gjithashtu, linja rrit sigurinë energjetike si dhe i shërben integrimit më të gjerë rajonal të të dy vendeve në tregun elektroenergjetik ballkanik dhe më gjerë”, u shpreh ajo.
Sipas Ballukut, kjo linjë transmetimi do të pasohet edhe nga projekte të tjera të mëdha. “Operatori ynë i transmetimit ka nisur negociata me Greqinë për 3-fishimin e kapaciteteve të transmetimit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kemi arritur një marrëveshje me palën italiane, pasi kemi pasur një bisedë intensive me Ternën për të ndërtuar linjën e transmetimit energjitik me Shqipërisë dhe Italisë, një linjë nënujore. Sot flasim në kushte të tjera. Sot operatori ynë i transmetimit ka ngritur grup pune me palën italiane për të pasur në vitin 2024 një studim fizibiliteti konkret,” përfundoi Balluku.