8 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore Lajme nga vendi

Një hetim që ngre pikëpyetje mbi SPAK

Kur mediat publikuan lajmin se gjykata i ka kërkuar prokurorisë të hetojë ish ministrat Beqja dhe Cani për rolin e tyre në koncesionin e sterilizimit, ndoshta shumë e morën me rezervë. Por më vonë lajmi u konfirmua nga vetë gjykatësi Erion Bani, i cili ka firmosur masat e ndalimit.

“Unë pashë që kishte vepra të tjera penale dhe persona, përfshi edhe dy ish-ministrat dhe e kam orientuar prokurorinë që të hetojë në këtë drejtim,” tha zoti Bani për BIRN.

Në një sistem drejtësie, hallka që ka me shume zell për të vendosur pranga në duart e njerëzve sigurisht që është prokuroria. Por për të mbrojtur liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve nga ky zell, sistemi ka hallkën tjetër, atë të Gjykatës.

Mirëpo me hetimet per koncesionin e sterilizimit ka ndodhur e kundërta. Pyetja shtrohet se pse Prokuroria i ka anashkaluar provat që ka parë gjykata në dosjen e saj për personat e tjerë? A ishte kjo paaftësi? Apo arsyeja ishte një tjetër?

Në fakt, që në ditën e parë të krijimit, SPAK-ut i është dashur të mbajë mbi supe një barrë të rëndë. Atë të provës se është një organ i pavarur, i cili heton dhe bën drejtësi në mënyrë të paanshme dhe larg ndikimit politik. Dhe këtu publiku ka qenë i ndarë në dysh.

Një pjesë e shoqërisë beson me të vërtëtë se SPAK është i pavarur dhe do të çojë përpara drejtësisë edhe të paprekshmit. Ndërkohë që opozita, por jo vetëm ajo, e ka parë atë si një institucion, që kontrollohet nga politika. Sigurisht që dosja e sterilizimit i çon argumente grupit të dytë.

Prej kohësh në Tiranë kanë qarkulluar fjalë se hetimi për sterilizimin ishte një shpërthim i kontrolluar për të shpëtuar njerëzit më të rëndëishëm që janë përfshirë në të. Ndalimet dhe mos ndalimet e sotme u japin më shumë jehonë këtyre fjalëve.

Që sterilizimi ka përgjegjësi penale në nivele të larta, kjo tashmë është e qartë. Sepse ata ministra që kanë firmosur atë kontratë koncesioni, kanë marrë një angazhim financiar pa tavan. Kontrata e sterilizimit nisi me 90 milionë euro. Brenda dy vitesh arriti në 140 milionë euro dhe mund të shkonte dhe 600 milionë euro.

Dhe nëse një indicie nuk përbën provë, që hetimi për sterilizimin është në rastin më të mirë i paplotë, dy të tillë ndoshta po. Në njoftimin zyrtar për ndalimet e personave të përfshirë në koncesionin e sterilizimit SPAK ka ngritur mbi ta vetëm dy akuza. Falsfikim dokumentash dhe mashtrim me pasoja të rënda. Në të gjithë dosjen nuk ka asnjë akuzë për veprën e korrupsionit. Këtu lind natyrshëm pyetja, përse i falsifikuan dokumentat zyrtarët e shtetit dhe pse mashtroi zoti Rrapaj?

Në një kontratë publike nuk mund të ketë falsifikim dhe mashtrim pa korrupsion. Sepse si falsifikimi ashtu dhe mashtrimi bëhen në funksion të korrupsionit. Zyrtarët nuk falsifikojnë dokumenta për hobi, por e bëjnë këtë për të vjedhur.

Pra, dy indicie, të cilat hedhin dyshime të rënda mbi hetimin për koncesionin e sterilizimit, por që mund t’u shtohet edhe një e tretë. Pse nuk ndalet gjakderdhja financiare?

Nëse koncesioni i sterilizimit është fituar me mashtrim, ashtu siç thotë SPAK dhe konfirmon gjykata, pse nuk sekuestrohet kompania për të ndalur hemoragjinë e parave publike? Në finale se kush shkon në burg për sterilizimin, kjo është një çështje e raportit të individit me ligjin. Në këtë moment, interesi publik më i madh është të ndalet vjedhja. Por vjedhja nuk ndalet kur shpërthimi është i kontrolluar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *