Elton Kacidhja, drejtori i Ujësjellës Kanalizime Tiranë, i ka dhënë firmës “Fusha” një shpërblim të majmë prej 3 milionë eurosh për punimet në Bovillë. Në vitin 2021, e njëjta firmë kishte fituar një tender me vlerë 16 milionë euro, ndërkohë që këto ditë UKT-ja i ka bërë një shtesë kontrate me një vlerë të majme.
Në dokumente s’ka asnjë informacion se përse po jepet një shpërblim, kur punimet në atë impiant duhet të kishin përfunduar me kohë. Madje, me të njëjtën vlerë që u akordua para 2 vitesh. Por, gjithmonë në Shqipëri, aq më tepër në Bashkinë e Tiranës, paratë nuk dalin asnjëherë. Jepen shtesa mbi shtesa, teksa punimet bëhen shkel e shko.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka premtuar që në mandatin e parë se Tirana do të ketë ujë 24 orë. Jemi në mandatin e tretë të tij dhe, pavarësisht se po hidhen dhjetëra miliona në impiante apo linja shpërndarje, sërish kryeqyteti ka ujë me pikatore. Madje, edhe ato projekte që janë në ndërtim e sipër kërkojnë fonde shtesë!
Në “lojë” në këtë procedurë dhe punime është firma “Fusha”, e cila njihet për afërsinë me kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Kjo firma ka marrë me dhjetëra tendera nga Lali Eri, shpeshherë me procedura të dyshimta, e vetme në garë apo të tjerët që afrojnë më pak s’kualifikohen. Prej dy vitesh e njëjta firmë po bënte punime në Bovillë, pasi bashkë me një firmë tjetër, paraqitën ofertë si BOE.
Por, dy vite më pas, UKT-ja që drejtohet nga “biznesmeni” Elton Kacidhja nuk u ka dhënë kacidhe, por një “thes me para”. Sipas dokumenteve që disponon redaksia e BoldNews.al, UKT-ja ka hapur procedurën e prokurimit “modifikim kontrate”.
Bëhet fjalë për objektin “shtesa e impiantit të përpunimit të ujit të pijshëm në Bovillë 1800l/s faza e 2 me 1200l/s”. Autoriteti kontraktues është sh.a Ujësjellës Kanalizime Tirane dhe fondi i akorduar është plot 315.282.425 lekë, ose e konvertuar 3 milionë euro. Megjithëse shkruhet “procedurë prokurimi”, nuk bën fjalë për tender, por për një “shpërblim”, që i jepet firmës “Fusha”.
Njoftimi i fituesit të tenderit për Bovillën në vitin 2021 me vlerë 16 milionë euro
Kjo e fundit, bashkë me firmën “SHANSI INVEST” operuan si BOE në tenderin me objekt “shtesa e Impiantit të përpunimit të ujit të pijshëm Bovillë…”. Në atë kohë, fondi i tenderit ishte plot 1.762.045.692 lekë, ndërsa këto firma ofruan 1.679.455.513 lekë, ose mbi 16 milionë euro. Pati edhe një ofertë më të ulët, e kompanisë “GJIKURIA”, por ajo u s’kualifikua.
Mësohet se në Bovillë filluan punimet, u realizua një pjesë e projektit por mbaruan paratë! Firmat i bënë kërkesë Bashkisë së Tiranës për shtesë fondi, me procedurën “modifikim kontrate”. Lali Eri, i cili njihet për zemërgjerësinë ndaj firmës “Fusha” i firmosi modifikimin dhe tashmë, nëpërmjet vartësit Elton Kacidhja, do t’ia lëvrojë për festat e fundvitit.
Boldnews