21 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore Lajme nga vendi

Një ngjarje tragjike dhe Shqipëria që nuk mëson asnjëherë

Klodian Tomorri

Ngjarja tragjike ku një fëmijë tre vjeçar humbi jetën pasi iu nënshtrua një ndërhyrje stomatologjike me anestezi totale në një klinikë private mori rrjedhën e zakonshme, që marrin gjërat në Shqipëri. Atë të tollovisë.

Qytetarët e zemëruar nga ngjarja nisën kryqëzatën kundër mjekut me gjyqin e madh publik. Dhe meqënëse ky është një gjyq ku provat dhe ligji nuk kanë vlerë, vendimi i Jurisë së Madhe popullore është gjithmonë dënimi kapital. Nga ana tjetër, një pjesë e mjekëve dolën në mbrojtje të kolegut të tyre. Kjo është tollovia e zakonshme, që në Shqipëri përsëritet thuajse në çdo ngjarje të madhe.  

Megjithatë, edhe këtë herë zhurma u zbeh në kanalet e kohës sipas parimit “çudia më e madhe zgjat vetëm 3 ditë”. Tashmë do të nisë tollovia e radhës. Ajo e hetimit të autoriteteve.

Por cilido që të jetë përfundimi, sërish nuk do të ndryshojë asgjë. Edhe nëse autoritetet do të gjejnë se fajtor është mjeku, problemi do të mbetet sërish aty. Dhe kur ai të përsëritet, do të fillojë gjyqi tjetër ndaj mjekut të radhës.

Shqipëria mund të burgosë mjekë pafundësisht, por kjo nuk do ta ndalojë tragjedinë e radhës. Sepse problemi nuk qëndron tek mjekët, por tek sistemi. Ndaj thelbi i çështjes nuk është nëse mjeku ka apo jo faj, por cili është kuadri rregullator që qeveris licencimin e klinikave dhe spitaleve private, të cilat kanë mbirë me shumicë në çdo zgëqe pallati nëpër Tiranë dhe Shqipëri.

Një miku im mjek para disa kohësh më tregonte një ngjarje horror. Dikush kishte hapur një spital me disa shtretër në katin e katërt të një pallati pa ashensor dhe aty kryente ndërhyrje kirurgjikale, madje dhe komplekse.

Në një rast, gjatë administrimit të anestezisë, pacienti kishte rezultuar me trakt respirator me të ngushtë se sa normalja. Ky është një problem gjenetik, që ndeshet rrallë dhe që kërkon një tub të posaçëm për të drejtuar frymarrjen e pacientit gjatë anestezisë.

Por sigurisht këto pajisje nuk mund të gjenden në kioska, të cilat vetëshpallen si spitale. Pacienti kishte hyrë në koma dhe mungesa e ashensorit e bënte të pamundur transportimin e tij në një njësi më të specializuar. Derisa u detyruan ta transportonin në krah.

Ngjarje si këto ndodhin rëndom nëpër Shqipëri. Për sa kohë kioskat private me emrin klinikë apo spital, liçencohen me vetëdeklarim në QKB dhe lejohen të kryejnë ndërhyrje komplekse apo të administrojnë anestezi masivisht tek pacientët.

Ndaj hetimi në këtë rast, nuk duhet të jetë ndaj mjekut, por ndaj autoriteteve shtetërore. Si liçencohen klinikat që kryejnë ndërhyrje kirurgjikale në Shqipëri? Sa i përmbushin kushtet minimale? Kush i kontrollon ato? Si qëndron kuadri rregullator i Shqipërisë në raport me atë të Bashkimit Europian?

Vetëm pasi hetimi të nxjerrë këto përgjigje, Shqipëria do fillojë të prekë thelbin real të problemit. Në të kundërtën tollovia do të vazhdojë. Dhe tragjeditë si kjo do të vazhdojnë të përsëriten. Sepse Shqipëria duket se nuk mëson asnjëherë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *