14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Një oligark, një investigim dhe katër fakte alternative

“Kompania Anamark zotërohet 100 për qind nga Klodian Allajbeu. Çuditërisht kompania e tregut agroushqimor deklaron vetëm humbje në 8 vitet e fundit, edhe pse ka shërbyer si monopol.”

Ky ishte një nga faktet e paraqitura një ditë më parë në një emision investigativ me temë Oligarku i Shëndetësisë kushtuar biznesmenit Klodian Allajbeu. Konteksti i këtij fakti është atashimi me evazionin fiskal. Por si qëndron e vërteta?

Kompania që zotëron tregun agroushqimor në autostradë quhet Ekma Albania. Në vitin 2021 Ekma Albania ose tregu agroushqimor regjistroi një fitim neto pas taksave 309 milionë lekë ose 3 milionë euro. Në vitin 2022, fitimi neto pas taksave ishte 305 milionë lekë ose 2.96 milionë euro. Në secilin nga këto vite kompania ka paguar rreth 525 mijë euro tatim fitimi. (Bilanci EKMA). Në vetëm 2 vite tregu agro-ushqimor ka fituar 6 milionë euro, ndërsa në 8 vitet për të cilat investigimi pretendon se tregu ka dalë më humbje, ai ka fituar minimalisht mbi 20 milionë euro. Nëse ka një problem këtu, ai është që tregu ndoshta fiton shumë dhe kjo rrit cmimet për fruta perimet, që blejnë qytetarët e Tiranës. 

Në rastin më të mirë, investigimi ka ngatërruar pa dashje Ekma me Anamark. Tregu është Ekma. Anamark është holdingu që mban aksionet e EKMA-s. Megjithatë kjo e tregut nuk ishte e pasakta e vetme e investigimit. E pavërteta tjetër më e madhe lidhej me koncesionin e dializës.

“Më 25 qershor 2019, kompania e koncensionit të hemodializës iu shit kompanisë fantazmë suedeze Diaverum International AB, për 1.5 milionë euro,” thuhej në investigim.

A është Diaverum International AB një kompani fantazmë ashtu siç thuhet në investigim? Ka një mënyrë shumë të thjeshtë për të verifikuar nëse një kompani, e cila prezantohet si e madhe, është vërtetë e tillë apo është thjesht një fantazmë.

Bëhet një kërkim i thjeshtë në internet nëse për kompaninë në fjalë kanë shkruar mediat prestrigjoze. Për shembull nëse fut në motorin e kërkimit google fjalët Diaverum dhe Reuters të dalin përpara me dhjetra shkrime. Nëse të njëjtin ushtrim e bën për “prestigjozen” Geogenix BV, kompaninë që ka koncesionin e inceneratorit të Tiranës nuk të del asgjë. Por për Geogenix nuk mund të ketë investigim se ashtu është një muhabet. Ah po. Është ky investigimi këtu. https://www.youtube.com/watch?v=8Zhc3jS48WA

Por le të kthehemi sërish tek çështja. Diaverum është një multinacionale me qendër në Suedi. Aktualisht ajo është kompania e tretë më e madhe në botë në ofrimin e shërbimit të dializës duke qënë prezente në 23 vende të botës me mbi 400 klinika të saj. A është Diaverum International AB pjesë e multinacionales Diaverum. Kjo verifikohet fare lehtë në faqen zyrtare të kompanisë Diaverum. (Kliko këtu dhe këtu). Për të verifikuar këtë mjaftonte një kontroll fare i thjeshtë në internet.

Nuk ka dy pa tre- thonë italianët. Dhe pasaktësia e tretë lidhet me shitjen e vet Diaverum.

“Pasi u zbuluan këto të dhëna, (nënkupto që Diaverum ishte fantazmë) koncesioni shitet sërish. “Diaverum” u shit tek “M42” e Abu Dhabi. Mbetet për t’u parë se cilët janë emrat që fshihen pas kompanisë së re që zotëron kontratën e Dializës. Ajo që dihet me siguri është se vitet e fundit, në Emiratet e Bashkuara Arabe mjaft shqiptarë të botës së krimit kanë transferuar shuma të mëdha parash me burim korrupsionin dhe krimin,” vijon investigimi.

M42 kompania që bleu suedezen Diaverum duke u bërë rrjedhimisht edhe pronari i ri i koncesionit të dializës në Shqipëri, është një kompani që zotërohet nga Mubadala. Ky është fondi i dytë më i madh shtetëror i Abu Dhabit, që zotërohet në masën 100 për qind nga qeveria e Abu Dhabit. Nëse kriminelët shqiptarë do të arrijnë të hyjnë në këtë kompani, Abu Dhabin e mori lumi.

Pas këtyre të trejave vjen fakti i katërt alternativ dhe ndoshta e pavërteta më e madhe.

“Në mars të vitit 2023, Allajbeu i blen vetes për 24 milionë euro kompaninë “Balkan Alliance Healthcare B.V”….. Natyrshëm lindin dyshimet, se çfarë përpiqet të fshehë biznesmeni Allajbeu përmes këtyre transaksioneve me kompani offshore,” thotë investigimi.

Tani e vërteta. Klodian Allajbeu nuk ka qenë asnjëherë aksioneri kryesor i Balkan Alliance Healthcare B.V, rrjedhimisht edhe Spitalit Amerikan. Aksioneri më i madh i spitalit amerikan me 86 për qind të aksioneve ka qenë Southeast Europe Equity Fund II LP.

Ky është një fond privat kapitali prej 230 milionë dollarësh i krijuar në vitin 2006 me investitorë mes të tjerësh BERZH, qeverinë amerikane përmes Korporatës Private të Investimeve Jashtë (OPIC) dhe Bankën e Austrisë.

Gjatë viteve disa nga investitorët dhe partnerët e fondit janë ndryshuar. Për shembull, në vitin 2019 OPIC u shkri. Por aktualisht vazhdojnë të jenë investitorë në fond BERZH me 50 milionë dollarë, fondi më i madh i pensioneve të Danimarkës Industrie Pensions dhe madje edhe një kompani e lidhur me Geroge Soros. (Kliko këtu dhe këtu).

Southeast Europe Equity Fund II LP zotëronte 86 për qind të aksioneve në Alliance Healthcare B.V dhe rrjedhimisht edhe në Spitalin Amerikan. Në mars të këtij viti kjo paketë aksionesh u ble nga Klodian Allajbeu për 25 milionë euro.

Klodian Allajbeu është një biznesmen kontrovers, ashtu si pjesa dërrmuese e biznesmenëve më të mëdhënj të Shqipërisë sot. Të gjithë këta kanë përfituar nga lidhjet politike për të fuqizuar bizneset e tyre dhe çdo investigim që zbardh këto përfitime kur janë të paligjshme është në favor të interesit publik.

Por investigimet me një, dy, tre, katër… fakte të pavërteta nuk kanë lidhje me interesin publik. Maksimumi mund të jenë biznes me normë fitimi më të lartë edhe se sa ajo e tregut të Allajbeut. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *