14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Një perandori me 10 shifra/ Kompania e Kushner që kërkon të investojë në Sazan deklaron 3 miliardë dollarë asete

A Fin Management LLC, kompania e Jared Kushner që është në negociata me qeverinë shqiptare për të ndërtuar një resort luksoz në ishullin e Sazanit, rezulton një perandori me 10 shifra. Pak ditë më parë, kompania e cila ndryshe njihet dhe si Affinity Partners, dorëzoi në Komisionin e Letrave me Vlerë të qeverisë amerikane, SEC, treguesit financiare të vitit 2023. Sipas tabelave, deri në 31 dhjetor të vitit të kaluar, asetet nën menaxhimin e kompanisë rezultojnë mbi 3 miliardë dollarë.

E themeluar më pak se tre vjet më parë, saktësisht në gusht të vitit 2021, Affinity ofron shërbime të menaxhimit të investimeve për disa fonde private. Sipas deklarimeve në SEC, aktualisht kompania menaxhon fondet e 6 klientëve duke i investuar ato në projekte fitimprurëse. Mes tyre është edhe Fondi Saudit i Investimeve Publike, që udhëhiqet nga princi i kurorës Mohammed bin Salman, udhëheqësi faktik i Arabisë Saudite.

Resorti i Sazanit
Emri i Affinity Partners u bë i njohur për qytetarët shqiptarë muajin e kaluar, kur dhëndrri i Presidentit Donald Trump deklaroi në Bloomberg, se ishte afër finalizimit të një marrëveshje për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit dhe një hoteli në Beograd, investime të cilat do të kalonin vlerën e 1 miliardë dollarëve.

Në rastin e Sazanit, plani parashikon ndërtimin e një resorti të brandit AMAN, i cili njihet si një nga majat e luksit në industrinë e hotelerisë botërore. Bëhet fjalë për një brand hoteli, çmimet e të cilit fillojnë nga 1500 dollarë në natë dhe që sipas politikave të grupit nuk zbaton ulje as për periudhat jashtë sezonit për të ruajtur pozicionin e tij në majën e elitës së hotelerisë.

“Aftësia për të zhvilluar 3 milje vijë bregdetare të bukur dhe një ishull 1400 hektarësh në mes të zemrës së Mesdheut është unike,” tha Kushner për The Post duke e krahasuar Sazanin me Maldivet dhe duke e quajtur atë një nga vendet më të bukura që kishte parë.

Dhëndrri i Donald Trump zbuloi se në këtë sipërmarrje ambicioze ai ishte duke bashkëpunuar me biznesmenin shqiptar Shefqet Kastrati dhe djalin e tij, të cilët i quajti partnerë të ngushtë. “Ata na kanë ndihmuar të kuptojmë koston e ndërtimit dhe si të operojmë në nivel lokal”, tha zoti Kushner në një intervistë për New York Times.

I cilësuar si konglomerati më i madh i biznesit në Shqipëri, grupi Kastrati së fundmi është zgjeruar me investime edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vitin e kaluar, familja Kastrati bleu një hotel në seksionin Brickell të Miami për 55 milionë dollarë nga familja mbretërore e Katarit.

Por siç zbulon New York Times, lidhjet me familjes Trump dhe asaj Kastrati shkojnë përtej partneritetit në biznes. “Z.Kastrati konfirmoi se ka vizituar Mar-a-Lago, resortin dhe rezidencën familjarë të zotit Trump në Florida, në dhjetor 2022 me zotin Grenell dhe se gjithashtu ka takuar shkurtimisht zotin Trump kur ish-presidenti mbërriti teksa po darkonin,” shkroi Times.

Rama: Sazani një xhevahir
Propozimi i kompanisë së Kushner për ndërtimin e resortit në ishullin e Sazanit i ka mbërritur zyrtarisht edhe qeverisë shqiptare. Kjo është konfirmuar zyrtaroisht edhe nga kryeministri, Edi Rama, që e cilësoi projektin si një mundësi të artë për ta kthyer Shqipërinë në xhevahir të turizmit mesdhetar.

“Një investim i cili ta transformojë Sazanin në atë që ka qenë qysh në krye të herës dëshira, ambicia edhe e paraardhësve të mi që ka qenë fiksimi im qysh se kam ardhur në detyrë, kemi pasur 3 apo 4 kërkesa më parë joformale nga investitorë të mëdhenj të cilët i kemi refuzuar ne, nuk janë larguar, sepse nuk kanë qenë ambicie dhe qasje të përputhura me atë që ne mendojmë se duhet të jetë Sazani. Shpresoj që të jetë rasti që Sazani të bëhet xhevahiri më i ndritshëm i kurorës së turizmit Mesdhetar,” deklaroi Rama në një studio televizive.

Siç zbulohet nga dokumentat e Komisionit të Letrave me Vlerë në SHBA, Affinity rezulton një gjigand, që zotëron asete sa 15 për qind e PBB-së së Shqipërisë. Aman është një emër, që shikohet me zili edhe nga qeveritë e vendeve shumë më të përparuara se Shqipëria. Tashmë mbetet për t’u parë nëse projekti i Sazanit do të bëhet realitet, dhe çfarë do të fitojë turizmi shqiptar nga ai. Kjo e fundit është në dorën e qeverisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *