Radisson Hotel Group do të hapë një resort malor nën markën e tij Radisson Blu në malin e Dajtit tha partneri i tij lokal, ofruesi i shërbimeve të mikpritjes, European Hotel Management Group (EHMG). Kompania shqiptare e zotëruar nga Gazmend Haxhia dhe Milos Ceroviç njoftoi se ka arritur marrëveshjen me brandin hotelier Radisson Blu për ndërtimin e resortit me 77 dhoma.
“EHMG është e emocionuar të njoftojë nënshkrimin e Radisson Blu Resort në Malin e Dajtit, Tiranë. I vendosur në një nga vendet më unike dhe më befasuese të Tiranës, ky vendstrehim malor me 77 dhoma do të ofrojë një përzierje perfekte të luksit dhe natyrës. Me një restorant të bukur, tarracë të hapur, sallë konferencash dhe eventesh, spa të shkëlqyer, kamp për fëmijë, stallë kuajsh, dy fusha tenisi dhe një fushë të vogël futbolli, ky resort është krijuar për të përmbushur çdo nevojë. Nga komoditetet familjare deri te një ambient ideal për konferenca dhe evente, Radisson Blu Resort në Malin e Dajtit së shpejti do të jetë zgjedhja më e mirë për çdo sezon. Mysafirët mund të zhyten në bukurinë e natyrës dhe të shijojnë ajrin e pastër, duke krijuar përvoja të paharrueshme,” njoftoi EHMG në rrjetet sociale.
Brandi Radisson po zgjeron praninë e tij në Shqipëri. Ky është hoteli i dytë që gjigandi ndërkombëtar hap në Tiranë pas Radisson Collection Morina Hotel në zonën e Liqenit të Thatë.