4 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Njëra dorë lan tjetrën/ ONE merr tender në Bashkinë e Tiranës, kurse vëllai i kryebashkiakut kuron imazhin e ONE

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i zhytur në skandalet e drejtorëve të tij, ka tentuar të pastrojë imazhin e tij duke bërë propagandë në media.

Skema e propagandës pro kryebashkiakut Erion Veliaj duket se i ka tentakulat të shtrira deri te bizneset private, që menaxhon Arbër Veliaj.

Një rast është ai i “One Albania”, marketingu i së cilës menaxhohet nga kompania “Gogel” e Arbër Veliajt.

“One Albania”, më 20 shtator 2024 ka fituar një tender nga Bashkia e Tiranës me objekt “Shërbim për infrastrukturë të dedikuar optike dhe shërbime data”. (Lexo këtu)

Fondi limit i tenderit ishte 74 398 398 lekë, ndërsa “One Albania” e fitoi me vlerën 68 774 075 lekë.

Të dhënat për tenderin në “Open Data”

“Open Data” e ka vlerësuar këtë tender me “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit, për përjashtim të kompanive të tjera konkurruese.

Pavarësisht se në tender morën pjesë edhe 5 kompani të tjera, fituese ishte “One Albania”, e cila menaxhohet nga vëllai i kryebashkiakut.

Kjo në fakt është një provë e fortë për SPAK-un, për hetimin pasuror të Veliajt dhe familjarëve të tij se si funksionon skema oktapod me tentakulat për shpërndarjen e fondeve, ku bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj i jep tenderin kompanisë “One”, e cila marketingun me vlerë prej miliona eurosh e menaxhon nëpërmjet kompanisë “Gogel” të vëllait të kryebashkiakut.

Kjo është njësoj si në skemat klasike të shërbimit dhe të korrupsionit, sepse është mjaft e qartë, Veliaj i jep kompanisë “One” tenderin, kompania “One” i jep reklama Arbër Veliajt.

Ky i fundit shpërndan reklama sipas interesave të vëllait të tij, duke i ushqyer ato me paratë e kompanive private, për propagandën pro kryebashkiakut, për të mos folur për skandalet e kryebashkiakut, për të mos folur për inceneratorët, për të mos folur për dosjen “5D”, për të mos folur për protestat para Bashkisë së Tiranës, por për të bërë avokatinë me pagesë.

Njëra dorë lan tjetrën, të dyja lajnë fytyrën.

Pra, Arbër Veliaj paguan mediat, paratë i merr nga Bashkia e Tiranës për kompanitë që ai menaxhon dhe mediat kyçin gojën. (Lexo këtu)

Dhe ky nuk është ky rasti i vetëm që kryebashkiaku përdor fondet publike, përdor paratë për shërbimet publike, duke i kaluar nëpër kompani, nëpër biznese të lidhura me të dhe afër tij, siç ka denoncuar CNA edhe më parë, që shkojnë në shërbim për propagandën e vetë Veliajt, hallet dhe problemet që ka ai, të cilat kërkon t’i zgjidhë duke paguar media nëpërmjet të tretëve, në mënyrë direkte apo indirekt dhe ky është fakti më klasik, publikuar sot nga CNA.

CNA.al

P.s: Titulli është i redaksisë. Titulli origjinal: Skema që i jep Veliajt propagandën në media

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *