12 Prill, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore Lajme nga vendi

Nuk deklaroi për 3 vjet/ Qeveria amerikane i heq statusin e përjashtimit nga taksat Fondit Shqiptaro Amerikan

Klodian Tomorri

Qeveria amerikane i ka hequr statusin e përjashtimit nga taksat Fondit Shqiptaro Amerikan të Zhvillimit për shkak se për tre vjet rresht nuk ka bërë deklarimin e detyrueshëm të taksave.

Kapitali.al ka mësuar se Internal Revenue Service, ndryshe Administrata Tatimore e Shteteve të Bashkuara do të vërë nën hetim financiar Fondin Shqiptaro Amerikan të Zhvillimit, i cili u përfshi në koncesionin kontrovers të Parkut të Butrintit.

“Statusi i përjashtimit të kësaj organizate u revokua automatikisht nga IRS për dështimin e paraqitjes së formularit 990, 990-EZ, 990-N ose 990-PF për 3 vjet rresht. Tashmë kjo organizatë do t’i nënshtrohet hetimit të mëtejshëm financiar të sigurtë” shkruan Administrata Tatimore Amerikane në motivacionin për heqjen e përjashtimit tatimor.

Historia

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) u krijua në vitin 2009 nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve me mbështetjen dhe inkurajimin e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

AADF është një korporatë jofitimprurëse e qeverisur nga një Bord Administratorësh i cili operon tërësisht në Shqipëri. Misioni i këtij fondacioni është nxitja e zhvillimit të një ekonomie të qëndrueshme të sektorit privat dhe një shoqërie demokratike në Shqipëri.

Duke qenë se është një organizatë jo fitimprurëse në vitin 2011, Fondi Shqiptar Amerikan përfitoi dhe statusin e përjashtimit tatimor nga administrata tatimore e SHBA-vë.

Por pak javë më parë IRS ka vendosur heqjen automatike të statusit dhe vënien e Fondit nën hetim tatimor për shkak se nuk ka dorëzuar për 3 vite rresht deklarimin e detyrueshëm tatimor në SHBA.

Butrinti

Fondi Shqiptaro Amerikan i Zhvillimit u vu në qëndër të kritikave publike me përfshirjen e tij në Parkun e Butrintit.  Përmes një marrëveshje të miratuar në ky Fond ka marrë për 10 vjet menaxhimin e parkut të Butrintit.

Por opozita dhe shumë ekspertë e kanë kundërshtuar fuqishëm marrëveshjen duke e cilësuar atë si një rrezik për shkatërrimin e pasurisë më të vyer natyrore dhe kulturore të Shqipërisë.

Ndërkohë, përfshirja e Fondit në marrëveshjen kontroverse të Butrintit ka shkaktuar kundërshtime të forta edhe në rrethin e personaliteteve shqiptaro-amerikane.

Njëri prej zërave më të fortë kritik ndaj përfshirjes së fondit në Parkun e Butrintit ka qenë ish kongresmeni Joseph Dioguardi, i cili e ka cilësuar si një skandal të rrezikshëm pasi AADF po e dëmton seriozisht integritetin e Parkut Kombëtar të Butrintit.   

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *