15 Prill, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore Lajme nga vendi

Oktapodi

Klodian Tomorri

Menjëherë sapo Taulant Balla u emërua ministër i brendshëm, një nga vendimet e para që mori ishte shkarkimi i shefit të Operacionales në Policinë e Shtetit, Oltion Bistri. Zoti Balla kishte arsye të forta për ta shkarkuar Bistrin, të cilat do të zbuloheshin vetëm pak ditë më vonë.

Pasi ish shefi i operacionales u arrestua nga SPAK për përfshirje në grup kriminal në të ashtuquajturën dosja Metamorfoza, në media rrodhi një tjetër lajm tronditës. Agjencia e Mbikqyrjes Policore kishte kallëzuar në prokurorinë e Tiranës Forcën e Posaçme Operacionale, pasi ishte zbuluar se në këtë strukturë përdorej një linjë e paligjshme përgjimi.

Linja ishte ngritur nga vet zoti Bistri për të përgjuar eksponentë të lartë të qeverisë dhe biznesit. Mes tyre Arben Ahmetajn, biznesmenin Irfan Hysenbelliu dhe vet Taulant Ballën. Përgjimet kryheshin për llogari të një figure tjetër të lartë të maxhorancës, që aktualisht është një nga tre njerëzit me të pushtetshëm të Shqipërisë.

Përgjimet e rivalëve brenda llojit për ta përforur informacionin si shantazh apo për të ngjitur shkallët e hierarkisë janë karakteristikë tipike e organizatave mafioze. Por jo e vetmja.

Në shtator të vitit 2019, Top Channel sajoi në programin e vet investigativ Top Story një emision që godiste Ditmir Bushatin për pasaportat diplomatike. Disa muaj më parë në të njëtin emision ishte goditur Fatmir Xhafa, Niko Peleshi dhe Taulant Balla.

Kohë më vonë filluan të dilnin në sipërfaqe intrigat pas emisioneve. Pasi qeveria udhëroi prishjen e Prestige Resort, Irfan Hysenbelliu deklaroi publikisht se kryeministri i kishte kërkuar të godiste një nga ministrat e tij të jashtëm. Bëhej fjalë pikërisht për Ditmir Bushatin. Por ajo që me sa duket nuk u realizua në Neës 24, u sajua me pasaporta në Top Story.

Arben Ahmetaj deklaroi një ditë më parë në intervistën e tij për Çim Pekën se të gjitha emisionet që godisnin figurat e maxhorancës porositeshin nga e njëjta dorë. Nga udhëheqësi i partisë. Në fakt, konfidencialisht këtë e thonë të gjithë të prekurit. Por kjo ishte e parë që u tha publikisht.

Përgjimet dhe shantazhet janë një biznes gjerësisht i përhapur brenda Rilindjes. Në të gjitha sferat. Brenda dhe jashtë llojit. Pak ditë më parë, një drejtor i rëndësishëm i Bashkisë së Tiranës ka darkuar me një gazetar. I pranishëm në darkë ka qenë dhe një biznesmen i njohur në fushën e ndërtimit. Aty është përgatitur terreni për të shantazhuar një prokuror të SPAK, i cili po heton një dosje sensitive.

Hetimi është për një kompani, e cila ka ndërruar disa herë pronësi dhe emër. E denoncuar për herë të parë publikisht nga Belind Këlliçi, kompania aktualisht mban akronimin 5D, që disa e përkthejnë si 5 drejtorët.

Kjo kompani nga hiçi u shndërrua në një nënkontraktor miliona eurosh i Bashkisë së Tiranës dhe disa nga adresat e saj përkojnë me bizneset e drejtorëve të rëndësishëm në bashki.

Xhovani Falkone dikur pati thënë si mund të shmangim të flasim për shtetin nëse flitet për mafian. Pra mafia është shteti. Ose shteti është mafia. Tashmë kjo po u bëhet gjithmonë e më qartë të gjithë shqiptarëve. Rilindja është një Oktapod. Por dje për herë të parë dikush e theu Kodin e Heshtjes. Mafia është një fenomen human. Dhe ashtu si ccdo fenomen njerëzor ka një cikël me fillim dhe fund. Shpresa e vetme është që fundi i saj të mos përkojë me fundin e Shqipërisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *