4 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Oligopoli i frikshëm/ Dy kompani morën 94 për qind të tenderave të AKSHIT

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka finalizuar procedurat për 8 tendera të mëdhenj nga fillimi i këtij viti. Por 6 prej tyre janë fituar nga vetëm dy kompani. E megjithatë në vlera parash, bilanci është edhe më i përqëndruar.

Sipas të dhënave zyrtare nga thesari i shtetit, vlera e tenderave të prokuruar nga AKSHI nga 1 janari e deri më sot është 28.3 milionë euro. Nga këto, 26.7 milionë euro u fituan nga dy kompanitë e mësipërme. Kjo do të thotë se në çdo 100 lekë që shpenzohen nga AKSHI, 94 lekë shkojnë vetëm në dy kompani. Dhe dy kompanitë janë Soft & Solution dhe Fastech.

Ky është një nga oligopolet më të rënda në historinë e tenderave publikë të Shqipërisë, i cili konfirmohet nga të gjithë treguesit e tjerë.

Sipas regjistrit të prokurimeve publike, në çdo tender të AKSHI-t paraqiten mesatarisht 2.5 oferta, kur në rang kombëtar kjo shifër është 8.6 oferta për tender. Por kjo është një shifër që raporton edhe ofertat fiktive. Tregues tjetër, ai i ofertave të kualifikuara është edhe më dramatik. Sipas të dhënave, në çdo tender të AKSHI-t, kualifikohet mesatarisht vetëm 1.25 oferta, kur në rang kombëtar mesatarja është 5.6 oferta për çdo tender.

Praktikisht në tenderat që bën Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit nuk ka garë, por ndarje parash publike.

Tenderët
Kontrata më e madhe publike e akorduar në fushën dixhitale këtë vit është ajo bërjes nga e para të platformës e-albania. Fondi limit për këtë kontratë u paracaktua 14.6 milionë euro. Edhe pse kjo ishte një llokmë shumë e madhe, që do të tundonte çdo kompani në fushën e IT-së, çuditërisht në tender u paraqitën vetëm dy oferta, njëra prej të cilave ishte totalisht fiktive.

Infosoft Systems hyri në garë pa paraqitur fare ofertë financiare dhe pa depozituar asnjë dokument, pra thjesht në pjesmarrje fiktive. Rrjedhimisht tenderi iu dha ofertës tjetër, asaj të bashkimit të katër kompanive. Ato ishin Fastech, Soft & Solution, Image and Communications si dhe Helius. Këto kompani u shpallën fituese të tenderit, ku garuan të vetme me ofertë 13.7 milionë euro.

Kontrata e dytë më e madhe ishte ajo e implementimit të sistemit të qendërzuar për dokumentat me nënshkrim elektronik. Fondi limit i këti tenderi u paracaktua 5.7 milionë euro pa TVSH. Në garë morën pjesë 4 oferta. Por dy ofertat më të ulëta u skualifikuan dhe fituese u shpall oferta e tretë, që ishte ajo e kompanisë Soft & Solution me vlerë 5.1 milionë euro.

Përmirësimi i Sistemit e- Leje ishte tenderi i tretë më i madh që AKSHI ka përmbyllur gjatë këtij viti me fond limit 3.1 milionë euro. Në garë u paraqitën vetëm dy oferta dhe fituese u shpall sërish Soft & Solution me 2.8 milionë euro.

Lista vazhdon me tenderin për përmirësimin e regjistrit të noterëve, i fituar nga Fastech për 2.5 milionë euro. Më pas përmirësimi i sistemit të informacionit për arsimin i lartë, i fituar nga Soft & Solution për 1.8 milionë euro.

Dy tenderat e vetme që kanë dalë nga darët e këtyre dy kompanive ishin përmirësimi i sistemit të tatimeve dhe ai i regjistrit të arkivës me vlerë respektivisht 1.5 milionë dhe 330 mijë euro.

Mbyllje e tregut
Nga 1 janari i këtij viti e deri më sot, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka shpallur në total 55 milionë euro tendera. Kjo është një nga njësitë shpenzuese më të mëdha të shtetit shqiptar, ku miliardat derdhen lum. Deri tani kanë dalë fituesit dhe janë mbyllur vetëm gjysma e tyre, ndërkohë që duhet të mbyllen edhe gati 27 milionë euro të tjera.

Por edhe këto do të jenë një farsë ashtu si ato që u mbyllën. Sepse në tenderat e IT-së nuk ka më garë, por ajo që ndodh është gjakderdhje buxhetore në sytë e të gjithëve. Fillimisht nën hundën e Agjencisë së Prokurimeve Publike dhe auditeve të brendshme të shtetit, të cilave duhet t’u ishte ndezur me kohë sinjali i riskut, teksa në tenderat e AKSHI-t mesatarja e ofertave të vlefshme është vetëm 1.25.

Më pas nën hundën e Autoritetit të Konkurrencës, i cili ka indicie të forta për koluzion në këto tendera. Për shembull Soft & Solution dhe Fastech, në disa gara hyjnë me oferta të përbashkëta, në të tjera shfaqen si konkurrente.

Hezitimi i këtyre institucioneve për të vepruar nuk mund të shpjegohet kurrsesi me asnjë faktorë racional, përveçse me një fuqi madhore që i detyron të bëjnë syleshin dhe hundzënët. Por nëse institucionet nën varësinë e qeverisë, kanë frikën ekzekutive, më e pashpjegueshme mbetet dhe hezitimi i organeve të drejtësisë.

Publikisht është thënë se prokuroria ka dhe përgjime për tenderat e AKSHI-t. Por ndërsa vërtetësia e këtyre thënieve mbetet e paprovuar, Prokurorisë nuk i nevojitet hiç të ketë përgjime. Indiciet e tenderave të IT-së janë publike. Gjakderdhje financiare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *