21 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Tatimet fshehin listën e subjekteve pasive dhe borxhlinjve ndaj shtetit

Drejtoria e Përgjithshme ka fshirë nga faqja e saj zyrtare listën e bizneseve që kanë detyrime ndaj shtetit për taksa të papaguara. Prej vitesh lista e bizneseve debitore ka qenë publike dhe përditësohej me frekuencë të rregullt, minimalisht një herë në muuaj. Paralelisht, veç saj Tatimet publikonin edhe listën e bizneseve pasive, pasi të dyja ishin kërkesa ligjore.

“Lista e subjekteve pasive publikohet me qëllim që palët e treta, të vihen në dijeni për të mos kryer transaksione shitje/ blerje me subjekte të cilët janë pjesë e regjistrit pasiv, pasi bazuar në ligjet fiskale të vendit, çdo transaksion i kryer me subjekte me statusin pasiv konsiderohet automatikisht shkelje administrative.”

Me pak fjalë nëse një biznes i rregullt hyn në transaksion me një biznes që ndodhet në listën pasive, atëherë administrata tatimore e ndëshkon me gjobë.

Por tashmë të dy listat, si ajo e borxhlinjve ashtu dhe ajo e subjekteve pasive, janë zhdukur nga faqja zyrtare e Tatimeve, një rast i paprecedentë që nuk ka ndodhur kurrë më parë.

Dyshimet janë se fshirja e listës së borxhlinjve dhe ajo e subjekteve pasive të mos jetë e rastësishme. Raportimet e mëparshme mediatike kanë faktuar raste të shpeshta të bizneseve të lidhura me zyrtarë të lartë, të cilët figurojnë si debitorë për shkak se nuk paguajnë taksat. Ndaj këtyre bizneseve administrata tatimore duket se nuk e ka zellin për të zbatuar ligjin dhe për të mbledhur me forcë detyrimet ashtu sikurse e ngarkon ligji.

Tashmë listat janë zhdukur pa asnjë shpjegim nga faqja zyrtare, ndoshta për të fshehur pushtetarët dhe klientët e qeverisë që nuk paguajnë taksat.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *