Paga mesatare u rrit me 13.7 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2023 duke kapërcyer nivelin 75 mijë lekë në muaj, nga 66 mijë lekë që ishte në tremujorin e fundit të vitit 20222.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se rritja e pagave në ekonomi është udhëhequr nga sektori shtetëror. Sipas shifrave, paga mesatare në shtet u rrit më 13 mijë e 400 lekë në terma vjetorë duke arritur në 87.8 mijë lekë në muaj.
Ndërsa për të punësuarit në sektorin privat rritja ka qenë më e ulët. Sipas INSTAT rroga mesatare në privat u rrit me 7 mijë e 200 lekë në muaj duke arritur në 69.4 mijë lekë nga 62.2 mijë lekë që ishte në tremujorin e fundit të 2022-shit.
Rritja e pagave në ekonomi është ndikuar kryesisht nga dy faktorë. Së pari rritja e pagave të administratës. Qeveria është zotuar se brenda këtij viti paga mesatare në shtet do të arrijë në 900 euro dhe duke filluar nga viti i kaluar ka ndërmarrë një rritje agresive të rrogave për punonjësit e administratës.
Faktori i dytë që ka ndikuar rritjen e pagës mesatare është dhe zgjerimi i rrogës së detyrueshme minimale me mbi 17 për qind. Paga minimale në Shqipëri u rrit në 40 mijë lekë në muaj në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, nga 34 mijë lekë që ishte për të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Pra faktori kryesor i rritjes së rrogave në ekonomi gjatë vitit të kaluar duket se kanë qenë ndërhyrjet ligjore. Ndërkohë që rritja natyrore e pagave në sektorin privat duket më e përmbajtur.