19 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Pallatet e sekuestruara/ Kush ka blerë apartament me cash, e humbet

Nëse qytetarët kanë blerë një apartament me para në dorë në një nga pallatet e sekuestruara nga qeveria si ndërtime pa leje, do ta humbasin apartamentin e tyre. Qeveria nuk do të njohë asnjë transaksion cash në objektet e sekuestruara, që janë ndërtuar pa leje ose në tejkalim të saj. Komisioni i Ekonomisë miratoi projektligjin për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, ku është shpjeguar se si do të funksionojë menaxhimi i tyre pas konfiskimit.

Përfaqësuesja e kryeministrisë Elira Kokona theksoi se me këtë draft synohet të zgjidhet ngërci me objektet që tashmë janë në shkelje të lejes së ndërtimit. Në draft parashikohet se për strehim do të kalojnë ato ndërtime të cilat nuk mund të shëmben pasi nuk plotësojnë disa kritere të parashikuara në ligj. Ky projektligj vjen si pjesë e paketës ligjore në kuadër të përmirësimit të procedurave të planifikimit dhe të ndërtimit, me qëllim parandalimin e problematikave në të ardhmen. Ligji parashikon regjistrimin e objekteve të konfiskuara pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës si dhe për krijimin e Fondit të veçantë të objekteve të konfiskuara

Por deputetët e opozitës janë shprehur se ky projektligj favorizon klientelizmin dhe tregon se ka dështuar kontrolli i territorit.Deri më tani, sipas raportimeve në komision, janë 25 objekte të konfiskuara në vende të ndryshme të Shqipërisë, ku 13 janë konfiskuar totalisht. Aktualisht janë 9 kërkesa për parablerje te objekteve, me një fond prej 15 mln euro, nga te cilat 10 për qind janë paguar dhe pjesa tjetër po paguhet në vazhdimësi. Sipas projektligjit, nëse pjesa e ndërtuar pa leje, kalon 10 % e volumit total, atëherë konfiskohet e gjithë godina.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *