8 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore Lajme nga vendi

Pandi me 6 vula

Klodian Tomorri

Kjo historia e inceneratoreve është shumë e thjeshtë. Aty është brenda e gjithe Partia Socialiste. E gjitha, pa përjashtim.

Këto levizjet që bëhen, që hiq Damianin vër Klosin janë shkrepje bosh. Klosi është vet brenda tek inceneratorët. Vendimi i dherave të ndërtuesve është joint-venture me firmën e Klosit dhe Lalit.

Këta blenë 50 papaqe atëherë për inspektorët e mjedisit dhe policët bashkiake. Sa hapej një gropë pallati vinte papaqi ose makina e policisë bashkiake. Punonte ndërtuesi gjithe natën, aty rrinte papaqi me makinën. Derisa të çoheshin dherat tek dera e landfillit dhe të pagueshin parate për koncesionarin. Vetem pastaj ikte papaqi.

“I zinte gjumi në majë të papaqit ose ne makinë,”- më tregonte një ndërtues. – “Ndonjehere me vinte keq, u çoja red bull. Ore nuk iknin per qamet.“

Kush mbeti? Belinda. Ministria e Infrastrukturës ka qene autoriteti përgjegjës për zbatimin dhe mbikqyrjen e projektit. Belinda duhet të ishte zyrtarja e parë, që duhet të shtypte butonin e kuq, që ore daleni një herë, mos paguani se këta nuk po investojnë asnjë lek dhe nuk po përmbushin asnjë kusht kontrate. Por Njësia e Zbatimit të Projektit nuk ka lënë asnjë raport mbikqyrje dhe nuk dha asnjë sinjal. Pra, iku dhe Belinda.

Kalojmë tek bujqësia. Frida i dha 300 e ca mijë euro Zotos për të bërë atë serën në Sharrë. Këtej nga krahu tjetër e kapi dhe OLAF-i me grantet e fermerëve.

Kush mbeti më? Për Delinën po thonë që ka bllokuar dy herë kontrollin ndaj koncesionarit kur ishte drejtoreshë tatimesh. Kjo duhet verifikuar se nuk e kam parë si letër. Por gjithsesi Delinën e ka shkarkuar ndërkohe ai.

Oltën e ka kapur SPAK-u rob tek baza e Sarandës dhe tek ajo puna e hotelit strategjik në Himarë. Nikua fiku zjarret me helikopterin që nuk rezultonte të kishte shkelur asnjëherë në Shqipëri. Pastaj është dhe ajo puna e atij autorizimit për atë ilaccin e rrezikshëm. Ogertën e fikin e tenderat sekretë të pandemisë.

Këta Ben Malajn, Ditmirin etj, i përzunë. Kryetarët e bashkive, gjysmën e ka kapur dekriminalizimi, gjysmën Spaku, atë që mbeten po kapen vet me shkop në dorë. Kështu që kush mbetet në PS? Mbetet vetëm Pandi. Eshtë dhe Erjon Braçja, por Erjonin nuk e do ai se e bezdis, i thotë duhet të ndihmojmë fermerët, plugimi, mbjellja, kostot. Ku duron dot komandanti nga këto gjëra.

Pra, po të hetohet tamam kjo punë tek Partia Socialiste shpëton vetëm Pandi. Dhe skema do jetë kjo. Kap Spaku një, fap e lëshon ky dhe vë një tjetër. Kap tjetrin, op e nderron prapë.

Mirëpo do të mbarojnë njerëzit se këtyre u vjen radha të gjithëve. Keshtu që Pandi do të bëhet sekretar i Pergjithshem i PS-së, kryetar i Grupit Parlamentar, nënkryetar partie etj etj. Pra PS-ja do të jete; ky kryetar se kete nuk e prek njeri dhe Pandi çdo gjë tjetër. Madje e ka thënë dhe vetë sulltani, që Pandi do na përcjellë të gjithëve ne nga PS-ja.

Pandi tani, do të bredhë me 6 vula në xhep si puna e këtyre të PD-së, që kane të gjithë nga një vulë. Jemini me një krah, Gaz Bardhi këtej nga krahu tjetër, këta të Berishes me vulë tjetër, e kështu me radhë.

Do mblihdte PS-ja për të marrë ndonjë vendim. Tek vendimi do jetë një firmë e madhe e Ramës dhe poshte 5 firma të vogla të Pandit.

Po të hetohet tamam kështu shkon kjo punë. Po u hetua me deal pastaj, që të fal filin dhe një torre, mos me prek figurat e tjera, ky është muhabet tjetër. Por po u hetua tamam, Pandi bëhet me 6 vula në xhep.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *