14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore

Paraja publike vetëm për qëllime publike, dhe një shënim mbi taksimin

Ky shkrim merr shkas nga dy iniciativat e fundit ligjore të qeverisë, atij për kondicionalitetet për ndjekjen e studimeve në programet e mjekësisë, dhe një draft iniciative për rivendosjen e TVSH në arsim.

Të dy iniciativat kanë ngjallur me të drejtë debat në publik midis palëve të interesit dhe dëshiroj të ndaj me publikun disa mendime për të dyja këto çështje. Financat publike kanë lindur si nevojë që vendet të ofrojnë disa të mira që kanë atributet e mallrave publike, krejt të ndryshme nga të mirat private të cilat ofrohen në një mënyrë efeciente nga vetë tregu.

Përgjatë shekujve rrethi i të mirave publike është zgjeruar; fillimisht ato kufizoheshin në funksionet klasike të shtetit, si rendi, drejtësia dhe mbrojtja, dhe më vonë edhe shumë funksione të natyrës së zhvillimit ekonomik marrin këto atribute. Shëndetësia dhe edukimi, zhvillimi infrastrukturës fizike dhe tani dhe asaj digjitale, mbrojtja sociale dhe shumë programe të mbështetje së vetë sektorit privat prodhues, bujqësisë apo sektorëve të caktuar ekonomik, etj., kanë atributet e të mirave publike.

Ato financohen me paratë e taksapaguesve për të përmbushur një nevojë të zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit dhe ky është motivi primar përse ne të gjithë paguajmë taksa dhe tatime. Diferenca e zhvillimit midis vendeve është shënuar pikërisht dhe nga këto konsiderata: vendet që kanë shërbime më të mira publike, kanë nivele më të larta të pagimit të taksave, gjë që mundëson një shërbim gjithnjë e më të mirë të infrastrukturës dhe institucioneve publike. E kundërta me vendet që kanë shërbime më të dobëta publike: gatishmëria e qytetarëve për të paguar më shumë taksa bie, dhe bashkë me të bie dhe aftësia e vendit për të përmirësuar ofrimin e këtyre shërbimeve. Kjo bën pastaj që vendet me shërbime më të mira, të shërbejnë si magnet që tërheq profesionist nga vendet në zhvillim. Në këtë rast, investimet publike në vendet në zhvillim shërbejnë si një eksternalitet pozitiv për vendet e zhvilluara.

Vitet e fundit ky emigracion, veçanërisht i punonjësve të shëndetësisë, ka marrë përmasa që i kalojnë kufijtë e të konsideruarit thjesht si një çështje e mobilitetit. Duke ju referuar projeksioneve demografike dhe shtimit të peshës së popullsisë në moshën e tretë në dekadat e ardhshme, kërkesa për këto profesione do të vazhdojë të jetë e lartë, duke paralajmëruar vazhdimin e këtij fenomeni edhe në vitet që vijnë. Kjo do të rëndojë edhe më shumë krizën e sektorit shëndetësor në vendet në zhvillim, siç është dhe rasti i Shqipërisë. Projeksionet demografike tona flasin për një plakje të shpejtë të popullsisë në vitet e ardhshme e cila përkthehet në rritje të nevojës për shërbim shëndetësor, ndërkohë që presioni emigrator do të mbetet shumë i lartë.

Përpara se fenomeni të marrë përmasat e një krize, ka nevojë për një zgjidhje politike dhe iniciativa e qeverisë, pa u ndalur konkretisht në modalitetet ligjore, mendoj se synon pikërisht arritjen e këtij objektivi. Pothuajse të gjithë vendet e tjera të botës e bëjnë një gjë të tillë, siç e referon në shkrimin e tij kolegu Zef Preçi. Por, aplikimi i kondicionalitetit ligjor që studenti do të duhet të punojë për një periudhë kohe (ose të paguajë tarifën e shkollimit – në këtë rast, taksat tona mund të përdoren për të financuar më mirë shërbimet që janë të nënfinancuara, siç është vetë sektori i arsimit) ndoshta ka nevojë që të përmirësohej, duke marrë në konsideratë brezin që aktualisht është pjesë e sistemit të edukimit dhe rregullat e lojës duhet të jenë të njohura që më përpara se studentët të bëjnë zgjedhjen e karrierës së tyre.

Por, kjo është mënyra tipike se si bëhen reformat politike në Shqipëri, të ngjashme si me një aksion blic policor: Pa u shkruar më parë një dokument eksplorues për problemin dhe alternativat përkatëse të zgjidhjes, pa iu nënshtruar një debati mes grupeve të interesit, pa dëgjuar zërin e palëve që ndikohen dhe komunitetit të institucioneve përkatëse. Sepse me të drejtë pyetja sërish mbetet: a e zgjidh problemin vendosja e këtij kondicionaliteti, apo problemi është më i thellë dhe ka nevojë për analizë dhe zgjidhje sistemike. Problemet janë të natyrës financiare, të politikave të sektorëve dhe menaxheriale.

Arsimi dhe shëndetësia në Shqipëri marrin vetëm 3.2% dhe 3.1% të PBB-së, respektivisht, duke shënuar një nivel dukshëm më të ulët krahasuar edhe me ekonomitë e vendeve fqinje. Mbështetjes së dobët financiare, duke i shtuar dhe problemet serioze të keqmenaxhimit të të dy sektorëve, janë mjaftueshëm për të kuptuar gjendjen në të cilën ndodhen këto dy fusha me rëndësi kritike; arsimi dhe shëndetësia janë infrastruktura kritike e zhvillimit ekonomik dhe social të një vendi. Keqmenaxhimi shfaqet dukshëm, sa për të sjellë një shembull, kur për ruajtjen fizike të objekteve arsimore, shpenzohen shumë më tepër para se sa për kërkim shkencor, ndërtimin e librarive, laboratorëve, mbështetjen e kërkimit për studentët, etj.

Ligji i arsimit të lartë, me gjithë mangësitë e tij, kishte vendosur disa parime të rëndësishme për deklarimin e prioriteteve dhe mbështetjen me prioritet të atyre programeve dhe profesioneve që janë nevojë kombëtare. Programi i bursave pastaj do të ishte instrumenti që mundëson arritjen e objektivave publike: kushdo që përfiton nga fondet publike, duhet të plotësoj disa detyrime që synojnë kthimin mbrapsht të investimit publik. Fatkeqësisht asnjëherë nuk u realizua kostimi i formimit të një profesioni: sa i kushton shoqërisë formimi i një ekonomisti, një juristi, një mjeku, një inxhinieri, etj. Apo në mjekësi, sa kushton një operacion apendiciti, për shembull, apo një trajtim i një sëmundjeve të caktuar. Kostimi është baza e ndërtimit të politikave të financimit të sektorëve të arsimit dhe shëndetësisë.

Në thelb, kostimi luan atë rol që luajnë çmimet në ekonominë e tregut: janë sinjali bazë që ndikon në alokimin e burimeve në ekonomi, që ushqen pastaj konkurrencën midis ofruesve të shërbimeve, etj. Shoqëria mund të vendos pastaj të bëj zgjedhjet e saj më të përshtatshme, nëse paraja të ndjek studentin dhe prindin, apo të ndjek institucionin. Por ky është një debat tjetër, që nuk ka lidhje me çështjen themelore: atë të kostimit të shërbimit. Sot, për shembull, ne nuk dimë sa kushton një operacion x, dhe me të drejtë dikush mund të thotë se jemi viktima të një sektori privat shfrytëzues dhe amoral. Por nëse do të kishte një tarifë shtetërore për atë operacion, atëherë ky do të ishte një sinjal i fortë konkurrencë edhe për sektorin privat, dhe bashkë me të, kjo do të kishte një ndikim e fortë edhe në cilësinë e shërbimit.

Siç e theksova që në fillim të këtij shkrimi, një nga arsyet e forta të emigrimit të qytetarëve jashtë vendit, lidhet me cilësinë e shërbimeve publike, dhe nëse ne nuk i përmirësojmë ato, perspektivat nuk janë të këndshme. Dhe skenari i ndalimit të plotë të emigracionit nuk është zgjidhja, të paktën jo në sistemin tonë politik e shoqëror që kemi zgjedhur. Alternativa e vetme mbetet përmirësimi sistemik i sistemit të të mirave publike. Një ndikim me rëndësi në këtë proces përmirësimi luan edhe sektori privat. Zhvillimi i vrullshëm që ka marrë përhapja e sektorit privat edhe në këto sektor që tradicionalisht (në epokën e shekullit të njëzetë) janë konsideruar si sektor publik, janë dëshmi e këtij kuptimi të ri të shoqërisë.

Ofruesit publik dhe privat të shërbimeve të shëndetit dhe arsimit, konsiderohen njësoj të rëndësishme dhe politikat e mbështetjes së tyre shihen si mënyra e vetme e përballjes me sfidat që po diktojnë kontekstet e reja ekonomike e shoqërore. Por fatkeqësisht në Shqipëri, kemi krijuar një klimë konfliktuale midis sektorëve publik dhe privat, pasi këndvështrimi ka qenë shumë i ngushtë: përse duhet të marrë para publike sektori privat. Rezultat i kësaj qasjeje konfliktuale është një diskriminim sistematik i sektorit privat arsimor. Sot, institucionet private të arsimit të lartë, paguajnë kontributet suplementare për statusin e profesorit me një normë tatimore dy herë më të lartë se institucionet publike. Dhe për ta vazhduar thellimin e diskriminimit, po tentohet të prezantohet sërish TVSH vetëm për sektorin arsimor privat.

Edhe për këtë çështje, kolegët Ermal Hasimja dhe Jetmir Aliçka kanë shkruar gjerësisht me argumente se përse kjo do të ishte një politikë e gabuar. Mendoj se është thellësisht e gabuar si qasje, ndaj një sektori që përpiqet të kontribuojë në zgjidhjen e problemeve të kapitalit njerëzor në vend. Për më tepër, problemet e zhvillimit të burimeve njerëzore vetëm se do të përkeqësohen edhe më shumë në të ardhmen dhe shoqëria do të dalë e humbur. Me shpresën se do të fitohen 5 lekë më shumë në arkën e shtetit sot, në fakt do të vrasim perspektivën. Vendet e zhvilluara e konsiderojnë sektorin privat të ofrimit të edukimit, përfshirë dhe institucionet e arsimit të lartë, si pjesë integrale e sistemit të shërbimeve publike në arsim. Prandaj dhe, jo vetëm që nuk diskriminohen, por mbështeten drejtpërdrejtë me fonde qoftë për kërkimin shkencor, për mësimdhënie, për studentët e ekselencës, etj.

Është thellësisht i gabuar perceptimi se në sektorin privat studiojnë individ që vijnë nga familjet me të ardhura të larta. Në fakt, fëmijët e këtij grupi social i gjen në universitetet e perëndimit, dhe kjo e bën Shqipërinë vendin me numrin më të lartë të studentëve për frymë të popullsisë ,që studiojnë jashtë vendit. Në auditorët tona vijnë studentë kryesisht nga shtresat e mesme, por me sistemin e bursave, një pjesë e madhe e tyre vijnë nga familje me të ardhura të ulëta. Aftësia për të paguar dhe një taksë shtesë prej 20% është përtej çdo mundësie ekonomike.

Aq më tepër kur klasa e mesme është holluar dhe po fiket, edhe si pasojë e politikës së progresivitetit tatimor, por dhe nga nivelet e larta të zhvlerësimit të pagave reale që po ndodh në mënyrë sistematike gjatë dy viteve të fundit. Unë i bashkohem thirrjes së kolegëve të tjerë që këto nisma duhet të mendohen më realisht dhe të vendosen në një perspektivë më afatgjatë.

Burimi: Panorama

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *