21 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Paralajmërimi i audituesve të pavarur/ Bllokimi i fondeve nga Becchetti kërcënon vijimësinë e Albcontrol

Bllokimi i të ardhurave nga gjykata e Brukselit për llogari të biznesmenit Francesco Beccheti mund të kërcënojë vijimësinë e shoqërisë publike Albcontrol. Tre auditues të pavarur kanë paralajmëruar qeverinë se kriza financiare e shoqërisë, jo vetëm krijon problematika që ndikojnë në kryerjen e aktivitetit të saj të përditshëm, por kanë një risk edhe më të madh.  

“Ju tërheqim vëmendjen se si rezultat i vendimit të gjykatës së Shkallës së Parë të Brukselit, llogaritë e shoqërisë Albcontrol sh.a pranë Eurocontrol janë ngrirë. Gjatë kryerjes së procedurave të auditimit kemi ndeshur në informacione publike, si rrjedhojë e vendimit të Gjykatës së Apelit në Bruksel, që mund të krijojnë ekzistencën e një pasigurie materiale mbi aftësinë e shoqërisë për të vazhduar në vijimësi” shkruajnë ekspertët Mirgen Dervishi, Gerta Avrami dhe Ilia Çeçe në opinionin me rezervë.

Audituesit theksojnë se edhe pse Albcontrol është një entitet publik jo fitimprurës, sërish kjo nuk e ka modifikuar opinionin e tyre për rrezikun e shoqërisë për të vijuar aktivitetin e saj. 

Miliardat e sekuestruara nga Becchetti

Linjat e fluturimit që përdorin hapësirën ajrore të Shqipërisë paguajnë një tarifë fikse për çdo avion që kalon tranzit. Këto para shoqëritë ajrore i derdhin në llogarinë qëndrore të Eurocontrol në Bruksel. Ky i fundit më pas i shpërndan me frekuencë mujore tek entet publike ajrore të çdo vendi anëtar.

Në rastin e Shqipërisë enti përkatës është Albcontrol. Por në dhjetor të vitit 2020 llogaria e Shqipërisë në Eurocontrol u bllokua nga biznesmeni italian Francesco Becchetti për të ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit në Uashington, e cila e dënoi Shqipërinë me 110 milionë euro plus interesat dhe kamatat.

 Që nga fundi i vitit 2020, Albcontrol nuk mund të tërheqë dot asnjë qindarkë nga të ardhurat e përdorimit të hapësirës ajrore të Shqipërisë, ndonëse çështja vijon të jetë në gjyq dhe ende nuk ka vendim përfundimar për konfiskimin e llogarive, por thjesht sekuestrimin e tyre.  

Sipas pasqyrave financiare të shoqërisë rezulton se deri në fund të vitit 2022, Albcontrol kishte rreth 6.8 miliardë lekë ose mbi 65 milionë euro të sekuestruara nga Becchetti në Bruksel. Duke përfshirë dhe të ardhurat e këtij viti, gjasat janë që shifra të ketë shkuar në 100 milionë euro dhe ndoshta edhe pak më shumë.   

Mal me borxhe

Bllokimi i një sasie kaq të madhe të ardhurash e çuar në prag të kolapsit financiar shoqërinë publike që ofron shërbimet e navigimit dhe sigurisë ajrore në vend. Për shkak të kësaj situate, verën e vitit të kaluar Albcontrol u detyrua të merrte një kredi emergjente 7 milionë dollarë nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Por as këto para nuk mjaftonin për shkak se gropa financiare e shoqërisë është e thellë. Si rezultat, në 27 dhjetor të vitit të kaluar, Albcontrol mori edhe një tjetër kredi prej 19.5 milionë euro nga Autoriteti i Aviacionit Civil.

Kredia e dhënë nga DPSHTR duhet të shlyhej brenda dhjetorit të këtij viti. Si rezultat Albcontrol është në vështirësi konstante për likuiditet.

Edhe pse Edi Rama është zotuar publikisht se Francesco Becchetti nuk do të marrë asnjë qindarkë nga Shqipëria. Por ndonëse ky zotim ngjan më tepër me një përpjekje të sforcuar për të fituar kohë, Shqipëria është duke paguar haraçet e konfliktit të maxhorancës me Becchettin, teksa Albcontrol është zhytur në krizë financiare, ndërkohë që audituesit paralajmërojnë me gjuhë teknike se rreziku i konfiskimit të 110 milionë eurove është i lartë.  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *