15 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Parku 140 mijë metër i Xhafzotajt do të menaxhohet nga privati, KISH hap tenderin

Parku Teknologjik dhe Shkencor “Durana Tech Park” do të menaxhohet nga një kompani private, e cila do të zgjidhet përmes negocimit nga Korporata e Investimeve Shqiptare.

Korporata shpalli në Agjencinë e Prokurimit Publik thirrjen për përzgjedhjen e menaxhuesit/administruesit të “Durana Tech Park”, i cili do të shërbejë edhe si ndërmjetës në përzgjedhjen e përdoruesve, pra kompanive private, që do të kryejnë aktivitet ekonomik brenda parkut.

“Korporata për zhvillimin dhe menaxhimin e parkut teknologjik dhe shkencor “Durana Tech Park” synon të përzgjedhë një menaxhues/administrues të parkut për të siguruar përmbushjen e kushteve të nevojshme për zhvillimin dhe menaxhimin me efektivitet të “Durana Tech Park”, përmes krijimit të një SPV (Subjekt për qëllime të Veçanta),” thuhet në thirrjen për shprehjen e interesit.

Parku Teknologjik
Durana Tech Park do të ndërtohet në Xhafzotaj të Durrësit. Qeveria shqiptare caktoi Korporatën e Investimeve si zhvillues të autorizuar të këtij parku duke i kaluar asaj në pronësi 140 mijë metra tokë shtetërore në këtë zonë.

Parku do të ketë për funksion kryerjen e sërë veprimtarish në fushën e programimit, të sistemeve të komunikimit dhe sigurisë, kërkimit të programeve inovative dhe veprimtari të tjera në fushën e teknologjisë së informacionit. Konkretisht, në fushën e programimit është parashikuar të realizohet analiza e kërkesave të sistemeve softë are, projektimi i arkitekturës dhe dizenjimi i detajuar i tyre, zhvillimi, mirëmbajtja dhe testimi i sistemeve softë are.

Në fushën e komunikimit dhe sigurisë, do të kryhen analiza, projektimi, zbatimi dhe mirëmbajtja e sistemeve të komunikimit të rrjetit të pajisjeve të teknologjisë së informacionit, projektimi dhe zhvillimi i sistemeve të sigurisë, transferimi i të dhënave dhe infrastrukturës përkatëse nga një teknologji e vjetër në një të re.

Kompanitë, të cilat do të zgjedhin të kryejnë aktivitet ekonomik brenda këtij parku do të kenë lehtësi taksash dhe privilegje administrative.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *